TIRANE- Studiuesi Auron Tare nuk ndan të njëjtin mendim me publicistin Mustafa Nano ku vjen puna mbi identitetin e shqiptarëve. Në debatin e ndezur në emisionin “Studion e Hapur” në “News24” me gazetaren Eni Vasili, mbi nivelin kulturor të shqiptarëve, Tare thotë se shqiptarët kanë karakteristikat e tyre.

Ndryshe nga publicisti Mustafa Nano që shprehet se “shqiptarët kulturalisht janë më të prapambetur se fqinjët”, studiuesi Auron Tare thotë se ndryshe nga popujt e tjerë, shqiptarët kanë veçoritë e tyre kulturore.

Duke u ndalur tek debati mbi librin “Sandwich” të Mustafa Nanos, me nëntitull “A është mirë me qenë shqiptar?”, Auron Tare thotë se autori “i sheh shqiptarët, nga këndvështrimi siç i shohin të huajt”.

“Aristoteli thotë helen apo grek nuk lind, bëhesh. Ai donte të thoshte së nëse do të bëhesh grek apo helen përqafon kulturën e kohës. Pra shqiptar bëhesh, jo detyrimisht ndodh kjo. Në kohët moderne ku jetojmë, shumë shqiptarë janë larguar, pra ti zgjedh kulturën që do. Ke shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi që janë pagëzuar, kanë përqafuar kulturën e atij vendi. Me ADN mbetemi shqiptarë kudo ku të shkojmë, ama nga ana kulturore kjo ndryshon.

Mendoj se ajo që përshkruhet në libër është në një farë mënyrë, shqiptari i parë nga udhëtari perëndimor, pra jo shqiptari i parë nga shqiptari. Në shumë këndvështrime që Mustafa Nano që ju kishit sjellë, është mënyra sesi të huajt i shohin shqiptarët”, u shpreh Auron Tare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb