Një i rritur ka vdekur dhe një fëmijë ka pësuar lëndime të rënda pasi një kamion hyri në ambientet e një kopshti në shtetin Victoria të Australisë, tha policia lokale.
Një kamion u përplas në një kopsht fëmijësh në Main Road në Riddells Creek, një qytet i vogël rreth 45 km në veriperëndim të Melburnit, rreth orës 14:20 me orën lokale.
“Një i rritur, i cili ende nuk është identifikuar zyrtarisht, ka vdekur në vendngjarje”, tha policia.
“Një fëmijë u plagos dhe është dërguar në spital me lëndime të rënda, por jo të rrezikshme për jetën.”
Në spital është dërguar edhe drejtuesi i kamionit. Shërbimet e urgjencës janë aktualisht në Riddells Creek pas përplasjes.
Policia tha se hetimet për rrethanat e aksidentit janë duke u zhvilluar.
(A.A/BalkanWeb)