Australia është bërë vendi i ri që ka njohur zyrtarisht Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.

Pavarësisht kësaj, qeveria australiane ka deklaruar se nuk do ta bëjë zhvendosjen e ambasadës së vet nga Tel Avivi në Jerusalem pa u arritur një marrëveshje përfundimtare e paqes.

Kryeministri Scott Morrison, tha se qeveria do ta njohë gjithashtu edhe shtetin e ardhshëm të Palestinës, me kryeqytet Jerusalemin Lindor, pasi të arrihet marrëveshja mes dy shteteve. Njoftimin për këtë vendim e dha vet kryeministri, i cili po mbante një fjalim në Institutin e Sidnit.

Në anën tjetër, udhëheqësi i opozitës, Bill Shorten, tha se vendimi i qeverisë është një vendim shkatërrues dhe është pjesë e fushatës parazgjedhore të kryeministrit. Ai e akuzoi Morrisonin se e ka vendosur interesin personal para interesit kombëtar.

Javën e kaluar, udhëheqësit palestinezë lobuan me shtetet e ndryshme myslimane për të zvogëluar importin e prodhimeve australiane dhe tërheqjen e ambasadorëve nga Australia, në rast se ky shtet merr vendim për ta zhvendosur ambasadën e vet në Jerusalem. Ndonëse ambasada nuk do të zhvendoset në Jerusalem, Australia do themelojë Zyrën për Mbrojtje dhe Tregti në Jerusalem dhe do të fillojë të kërkojë një vend për ambasadën e saj, shkruan “The Guardian”.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb