Dislokimi i një misioni policor të armatosur në lindje të Ukrainës ende nuk është punë e kryer dhe ka disa pyetje të hapura lidhur me planin e propozuar nga presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, deklaruan sot diplomatët.

Pas takimeve, ku merrnin pjesë liderët nga Rusia, Gjermania dhe Franca dje në Berlin, Poroshenko tha se “vendet hartuan një udhërrëfyes drejt paqes në lindje të Ukrainës, duke përfshirë një mision të armatosur nga ana e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)”.

“Nuk ka asnjë koncept konkret në tryezë”, u shpreh një diplomat në Vjenë, ku ndodhet selia e OSBE-së.

Aktualisht janë 600 vëzhgues të paarmatosur të OSBE-së në Ukrainën Lindore, ku rebelët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat qeveritare.

Vendosja e një misioni të veçantë të policisë do të ketë nevojë për miratimin e të gjitha shteteve anëtare të OSBE-së, duke përfshirë Rusinë.

“Anëtarët e OSBE-së do të duhet të përcaktojnë parakushtet e sigurisë, që do të lejojnë vëzhgues të tillë të armatosur që të dërgohen në Ukrainë, dhe do të duhet të përcaktojë qëllimin se për çfarë do të shërbejnë vëzhguesit”, tha një diplomat.

“Vëzhguesit e OSBE-së nuk kanë mbajtur asnjëherë armë në ndonjë nga misionet e tyre të fundit në rajone të ndryshme të konfliktit”, tha një zëdhënës i OSBE-së.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u përgjigj dje ndaj komenteve Poroshenkos duke thënë se “lajmi i mirë është se ne kemi një dokument fillestar, por ende përmban shumë pika mospajtimi”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: