Kancelari austriak, Sebastian Kurz, humbi votëbesimin pasditen e kësaj te hene në parlament. Mocioni i mosbesimit u mbështet nga ligjvënësit e Social-Demokratëve dhe të partisë së ekstremit të djathtë Liria, e cila ka qenë në koalicion me Kurzin, ndersa ky i fundit ka ndërprerë aleancën me të, javën e kaluar.

Ky votim i paprecedentë në historinë e republikës së Austrisë u arrit kryesisht me votat e partisë socialdemokrate dhe të partisë nacionaliste FPO, shefi i të cilës u detyrua të dorëhiqet nga posti i tij si zëvendëskancelar pas këtij skandali.

Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, duhet të emërojë tani një kancelar për të formuar qeverinë, e cila do të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, që pritet të mbahen në shtator. Kriza politike në Austri nisi dhjetë ditë më parë, si pasojë e shfaqjes së një videoje, që supozohej se tregonte zëvendëskancelarin Heinz-Christian Strache duke i ofruar kontrata një përfitueseje potenciale ruse, në këmbim të donacioneve politike. Strache, nga Partia Liria, dha dorëhqeje nga qeveria më 18 maj.

Në video, ai shihet duke pirë dhe duke biseduar me një grua që pretendon se është se eshte mbese e nje oligarku rus, që dëshiron të investojë në Austri. Gruaja në video ofron për të blerë 50% të aksioneve në gazetën austriake Kronen Zeitung dhe të ndryshojë qëndrimin e saj editorial, në mbështetje të Partisë Liria. Në këmbim, Strache thotë se mund t’i ofrojë asaj kontrata publike. Kurz, udhëheqës i Partisë Popullore të Austrisë, është kancelari i parë në historinë e Austrisë së pasluftës që humb votëbesimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb