Kancelari austriak Karl Nehammer deklaroi se kishte në plan të jepte dorëheqjen, në ditët në vijim, pasi bisedimet midis partisë së tij konservatore dhe social-demokratëve për të formuar një qeveri të re u rrëzuan dje duke e futur vendin në një krizë politike.

Në një video-mesazh, Nehammer tha se do të jepte dorëheqjen edhe si kreu i Partisë Popullore Austriake (OVP).

Njoftimi i tij erdhi menjëherë pasi partia ndërpreu bisedimet e koalicionit me SPO, rreth tre muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.

“Është e qartë se forcat shkatërruese brenda SPO-së kanë marrë epërsinë”, tha Nehammer duke konfirmuar edhe fundin e këtyre bisedimeve.

Njoftimi i Nehammer erdhi vetëm disa orë pasi OVP dhe SPO filluan diskutimet mbi formimin e një qeverie, më herët të shtunën, pas tërheqjes së partisë liberale NEOS, të premten, nga bisedimet disajavore mbi atë që do të kishte qenë një koalicion historik trepalësh.

Bisedimet ishin një seri përpjekjesh për të parandaluar ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme pasi fitoi zgjedhjet parlamentare në fund të shtatorit.

Frika nga e djathta ekstreme

Partia e ekstremit të djathtë të Lirisë së Austrisë (FPO) doli si fituese e qartë nga votimi i shtatorit, duke shënuar herën e parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore që një parti e ekstremit të djathtë fiton zgjedhjet parlamentare në Austri.

Megjithatë, asnjë parti tjetër nuk ka qenë e gatshme të punojë me FPO ose liderin e saj, Herbert Kickl.

Të shtunën në mbrëmje, Nehammer e bëri të qartë se ai ende nuk ishte i përgatitur për të mbajtur bisedime koalicioni me FPO nën drejtimin e Kickl.

“Është bindja ime e thellë që radikalët nuk ofrojnë zgjidhje për një problem të vetëm”, tha Nehammer.

Megjithatë, krahu i biznesit i partisë së tij favorizon një koalicion me FPO.

Nehammer tha se ai kundërshtoi FPO nën drejtimin e Kickl për shkak të qëndrimit të saj pro rus dhe mungesës së diferencimit nga grupet e ekstremit të djathtë.

Kreu i SPO-së, Andreas Babler, fajësoi konservatorët që flirtuan me të djathtën ekstreme për dështimin e një koalicioni të madh të mundshëm, siç do të dihej lidhja e partive centriste.

”Tani Austria përballet me kërcënimin e “një kancelari të ekstremit të djathtë”, tha Babler.

Rikthehet Sebastian Kurz?

Raportet e mediave austriake duke cituar burime konservatore kanë sugjeruar së fundmi ish-kancelari Sebastian Kurz mund të bëhet lideri i ardhshëm i OVP.

Kurz qeverisi si kancelar me FPO nga 2017 deri në 2019 dhe më pas me të gjelbrit, por u tërhoq nga politika në vitin 2021 mes hetimeve për korrupsion që janë në vazhdim.

”Lëvizja e radhës duhet të vendoset nga presidenti Alexander Van der Bellen”, tha kreu i FPO Kickl, me synimin për një mandat të mundshëm qeveritar, të cilin atij i ishte mohuar më parë.

“Pas ngjarjeve të sotme, presidenti është nën presion për të vepruar”, theksoi ai.

Nëse mbahen zgjedhje të reja, FPO mund të shpresojë për një fitore tingëlluese pasi sondazhet e fundit sinjalizuan një rritje të mëtejshme të madhe të votave në krahasim me zgjedhjet, duke sugjeruar se partia mund të përmirësojë rezultatin e saj nga 29% në rreth 35%.

Austria në krizë ekonomike

Austria është në grahmat e një krize ekonomike dhe në të njëjtën kohë duhet të bëjë shkurtime të rënda për të përmbushur kriteret e BE-së për stabilitet financiar.

Vendosja e një ekuilibri midis masave shtrënguese dhe masave për të nxitur ekonominë konsiderohet si detyra kryesore e një qeverie të re.

Çdo qeveri e re austriake përballet me detyra të mëdha që kërkojnë një koalicion funksional pa probleme.

Ajo përballet me probleme strukturore, duke përfshirë sistemin e pensioneve, i cili prej kohësh ka pushuar së mbuluari me kontribute.

Shteti duhet të shpenzojë një pjesë të madhe të buxhetit për mbështetjen e pagesave të pensioneve.

Për shkak të marrëveshjeve të shtrenjta të pagave, kostot e punës për njësi nuk janë më konkurruese nga pikëpamja e Shoqatës Industriale.

Papunësia është rreth 7%.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: