ATHINE– Greqia ka tërhequr ambasadorin e saj nga Austria pas mosmarrëveshjeve për situatën me emigrantët. Një ditë më parë, Austria thirri konferencë për refugjatët, por nuk ftoi Greqinë, e cila e cilësoi këtë një akt jo miqësor.

Të mërkurën, Austria dhe vendet e Ballkanit kanë rënë dakord që të forcojnë kontrollet kufitare dhe kanë paralajmëruar se mund të mbyllin tërësisht kufijtë. Vendimi është kritikuar nga Greqia, ku mijëra emigrantë kanë mbetur të bllokuar, pasi Maqedonia u ka ndaluar hyrjen afganëve në territorin e saj, duke u dhënë përparësi sirianëve dhe irakianëve.

Hungaria, ndërkohë, ka thënë se do të mbajë referendum për të pranuar ose jo kuotat e BE-së për shpërndarjen e emigrantëve në bllok. Mbi 100 000 emigrantë kanë arritur në Evropë vetëm këtë vit. Në Bruksel, ministrat e Brendshëm të BE-së do të dëgjojnë planet e hartuara nga Austria dhe tetë vende të Ballkanit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: