Promovohet në Tiranë autobiografia e Kamala Harris, zv.presidentes në detyrë të SHBA, e cila në 5 nëntor humbi zgjedhjet Presidenciale përballë republikanit Donald Trump. Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, e cila është autore e parathënies së autobiografisë foli gjatë promovimit të librit për përjetimet e saj. Libri titullohet “Të vërtetat që mbartim”, një autobiografi e ish-kandidates për presidente të SHBA-ve, Kamala Harris, e cila ka qenë edhe prokurore.
Linda Rama shprehet se parathënia e librit është bazuar në dy momente, “liritë dhe të drejtat e njeriut” dhe “profili i prokurorit”. Rama tregon se karriera e Kamala Harris kishte rritje graduale qoftë si prokurore por edhe si politikane.
“Libri është shkruar kur Kamala ishte zv.presidente dhe ishte një nga dy kandidatët që kërkonte të hynte në zyrën ovale që në fakt është zyra siç e kam thënë edhe në parathënie është zyra më e rëndësishme e botës. Karriera e Kamalës ishte kaq graduale, sa herë-herë kisha nota mosbesimi, a është një guidë se si duhet të jetë një prokuror apo si duhet të jetë një politikane. Asnjëherë nuk më erdhi Kamala si thjesht një grua që në fakt rrënjët e saj biologjike dhe sociale i kishte te grupet vulnerabël të shoqërisë. Ajo nuk kishte asnjë lloj vulnerabiliteti në libër. Ndërsa dëgjoja fushatën, komentet që bëheshin në favor të njërit apo kandidatit tjetër, mua Kamala më vinte me fuqinë e saj nga libri i shkruar në vitin 2018”, tha Linda Rama.
Ajo u ndal dhe të humbja e Harris, teksa tha se kandidatja demokrate nuk do të hyjë në Zyrën Ovale duke shtuar se gjithçka ndodhi siç e donte populli amerikan. Kjo është e bukura e demokracive, tha Linda Rama, duke sjellë në vëmendje se është populli ai që vendos.
“Kamala nuk do të hyjë në Zyrën Ovale dhe botuesja tha: “pavarësisht si erdhën gjërat…” Gjërat erdhën ashtu siç e donte populli amerikan. Dhe kjo është bukuria e demokracisë që popujt vendosin dhe tranzicioni ynë i 30 viteve na ka mësuar se populli nuk gabon. Dhe në shumë dimensione të të gjithë diskutimit që bëhet sot për kandatin fitues apo humbës, një përjetim tjetër që unë kam patur ka qenë: Po kjo Shqipëria e vogël sa shumë eksperiencë ka patur në këto 30 vite sa në të gjitha debatete që bëhen ne e ndjejmë veten si të jemi pjesë e një konteksti të jashtëzakonshëm siç është konteksti i SHBA. Kishte mjaft momente tek të vërtetat që mbartin që mua më tërhiqnin posaçërisht për t’i bërë pjesë në parathënie, se ky ishte një moment reflektimi brenda meje: ku do të ndalem? Fjala vjen, roli i gjurmëve të fëmijërisë tek prokurori dhe tek politikani. Ky ishte një moment për mua shumë interesant. Fuqia për të prekur plagën dhe aftësia për t’u futur nën lëkurën e viktimës, gjithmonë kur flasim për prokurorin. Vulnerabiliteti si premisë suksesi. Politika si aleat i më të dobëtit. Sjellja e politikanit ndaj dështimit dhe ndaj ofertës për karrierë. Një krim ndaj dikujt si krim ndaj gjithkujt. Raporti me të fuqishmit e biznesit. Raporti me kërkimin shkencor dhe me shifrat.
Por vendosa të ndaloj në dy momente, liritë dhe të drejtat. Këtë vendim e mora se ky është thelbi im se unë doja që të isha vetja në parathënien e Kamalës e frymësuar nga Kamala dhe e mbështetur nga Kamala. Dhe momenti i dytë, profili i prokurorit që për mua mbetet një kërshëri e veçantë”, tha Linda Rama.
Ajo vijoi më tej duke theksuar se: “Në parathënie kam nënvizuar që kërcënimet për liritë dhe të drejtat e fituara nga brezat janë reale dhe me shumë të ngjarë do të vazhdojnë të bëhen edhe më të pranishme për ata që do t’i trashëgojnë fitoret e shoqërive demokratike. Pse mendoj unë se kërcënimet dhe liritë dhe të drejtat janë reale dhe pse mendoj se këto do të jenë më të pranishme për brezat që do të vijnë? Dua të bëj një parantezë në kontekstin historik të një shekulli më parë kur ngjarjet, luftërat, shpikjet teknologjike, makinat, aeroplanët dhe veçanërisht radiot si element ndërlidhës dhe komunikimi, lindja dhe rënia e regjimeve autoritare, rënia e perandorive kolonizatore, shpikja dhe përdorimi i bombës nukleare në Hiroshima dhe Nagasaki dhe traumat ekonomike dhe njerëzore të lidhura me të gjitha këto krijuan arsyet dhe mjedisin për avancime të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave në vende demokratike, krijuan institucionet e mbikëqyrjes dhe vlerësimit të këtyre të drejtave dhe lirive si dhe mobilizuan financa të cilat nuk ishin parë kurrë më parë të cilat këronin të fuqizonin individët dhe komunitetet në lëmin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, deklaroi Linda Rama.
Më tej, Linda Rama shtroi edhe pyetjen se çfarë i mungoi kandidates demokrate për të qenë Presidente e SHBA në zgjedhjet e 5 nëntorit, teksa një model fitues deri në momentin kur ishte senatore nuk u kthye i tillë si numri një i Shtëpisë së Bardhë.
“Kamala Harris në janarin e ardhshëm nuk do të hyjë në zyrën ovale por unë mendoj që kjo pikërisht i jep librit të ketë një stacion tjetër imagjinar. Pse një model fitues deri në momentin kur Kamala Harris ishte senatore e SHBA nuk u kthye në një model fitues si presidente e SHBA? Unë jam shumë kurioze për të ditur të vërtetat e Kamala Harris si zv/presidente e SHBA të cilat nuk janë në këtë libër dhe si kandidate për presidente e SHBA. Fuqia me të cilën Kamala sjell jetën e saj në karrierë deri në vitin 2018 mendoj që do të ketë fuqinë që të transmetojë ashtu siç duhet të vërtetat derisa ajo shërbente si zv/presidente e SHBA dhe konkurronte për presidente. Uroj shumë që këto të vërteta ne të na ofrohen dhe ne të kemi mundësi të mblidhemi përsëri dhe të diskutojmë. Megjithatë, do të doja ta mbyllja fjalën time me një pyetje që e kam vazhdimisht në mendje: Çfarë i mungoi profilit të Kamala Harris për të mos qenë Presidente e SHBA? Dhe çfarë nga profili i Kamala Harris ka Presidenti i zgjedhur që do të hyjë në zyrën ovale në janar të vitit të ardhshëm? Ç’pjesë nga profili i Kamala Harris ka për të ushtruar përgjatë detyrës së tij si President i SHBA?”, përfundoi Linda Rama.
(BalkanWeb)