Papa Françesku ka thënë se ai i shpëtoi një sulmi të dyfishtë vrasës gjatë një vizite në Irak tre vjet më parë, por plani i atentatit u pengua nga inteligjenca britanike dhe policia irakiane. Françesku e bëri zbulimin në autobiografinë e tij me titullin “Shpresa”, pjesë të së cilës u ndanë me Corriere della Sera të martën, në ditëlindjen e 88-të të Papës.
Françesku tha se ai ishte këshilluar fuqimisht të mos bënte udhëtimin në Irak në mars 2021, i pari nga një Papë, sepse Covid ishte ende i rrezikshëm dhe gjithashtu rreziqet e sigurisë ishin të larta, veçanërisht në Mosul, qytetin verior të shkatërruar nga militantët e Shtetit Islamik.
Megjithatë, Papa tha se ishte i vendosur të vazhdonte udhëtimin.
Në rrëfimin e tij, Papa tregon se inteligjenca britanike informoi policinë irakiane për bombat e planifikuara sapo Françesku mbërriti në Bagdad. Nga ana tjetër, policia irakiane informoi me detaje e ekipet e sigurisë së Vatikanit.
Papa tregon se si një nga sulmuesit vetëvrasës ishte një grua që po shkonte drejt Mosulit për të hedhur veten në erë gjatë vizitës papale. Një kamion gjithashtu “u nis me shpejtësi atje me të njëjtin qëllim”, tha ai.
Në librin, të shkruar nga italiani Carlo Musso dhe që do të botohet në janar, Françesku tha se më vonë pyeti sigurimin e Vatikanit se çfarë ishte bërë me kamikazët. “Komandanti u përgjigj në mënyrë lakonike: “Ata nuk janë më këtu”, shkroi Françesku.
“Policia irakiane i kishte kapur dhe ata u vetëvranë duke shpërthyer bombat. Kjo më goditi edhe mua: edhe ky është fryti helmues i luftës”, shprehet Papa.
Françesku vazhdoi me udhëtimin tre-ditor në gjashtë qytete irakiane, duke thënë në atë kohë se po udhëtonte si “një pelegrin i paqes”. Mijëra të krishterë në veri të vendit u vranë nën sundimin e Shtetit Islamik midis 2014 dhe 2017, dhe qindra mijëra të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre përballë dhunës dhe persekutimit.
Duke qëndruar në rrënojat e një kishe në Mosul, Papa i kërkoi komunitetit të krishterë që të falte padrejtësitë ndaj tyre nga ekstremistët dhe të shikonin përpara.
Gjatë vizitës, rreth 10,000 policë irakianë u vendosën për të mbrojtur Papën dhe u vendosën orë policore për të kufizuar përhapjen e Covid-19.
Botuesi italian Mondadori tha se ‘Shpresa’ ishte autobiografia e parë e botuar nga një papë, megjithëse Françesku ka botuar libra të tjerë në stilin e kujtimeve.
Françesku ka zhvilluar më shumë se 40 udhëtime jashtë shtetit që kur u bë Papë në vitin 2013, më e gjata dhe më e vështira e tij ishte një turne 12-ditor Azi-Paqësor në shtator.
Të hënën, ai udhëtoi për në Korsikë, vizita e parë e një ponti në ishullin francez të Mesdheut. Tani është normale që ai të përdorë një karrige me rrota ose shkop ecjeje gjatë udhëtimeve të tij për shkak të dhimbjes së nervit shiatik dhe një problemi në gju.
(BalkanWeb)