Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Norvegji, ndërsa një autobus me rreth 60 persona në bord ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një liqen.

Alarmi ra në orën 14:02 me orën lokale në E10 në komunën Hadsel, rreth 30 kilometra në juglindje të qytetit Svolvær, në veri të vendit. Ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur pasagjerët në autobus.

Sipas autoriteteve lokale si pasojë e aksidentit ka viktima. Të dhënat e para bëjnë të ditur se të paktën 3 persona kanë humbur jetën, ndërsa 4 persona janë plagosur rëndë.

Sipas policisë lokale, në bordin e autobusit ndodheshin gjithsej 58 pasagjerë, duke përfshirë shtetas të huaj të 8 kombësive të ndryshme.

Shefi i policisë së qarkut Nordland, Bent Are Eilertsen, duke theksuar se identifikimi i personave nuk është një proces i lehtë, shtoi se nuk ka listë të pasagjerëve të autobusit që doli nga rruga. Mes të plagosurve lehtë janë pesë shtetas kinezë, sipas raporteve nga ambasada e Pekinit në Oslo.

Sipas informacioneve të dhëna nga policia norvegjeze dhe të cituara nga media VG, autobusi doli nga rruga dhe përfundoi në liqenin Asvatnet, pranë Raftsundet.

Megjithatë, operacionet e shpëtimit janë penguar nga kushtet e këqija të motit, raportojnë mediat norvegjeze. Madje, ditët e fundit zona është goditur nga moti i fortë i keq.

Nordlandssykehuset, spitali kryesor i rajonit, ka ngritur alarmin për aksidentin dhe po përgatitet të mirëpresë pacientët që vijnë. “Helikopterët e shpëtimit nga Bodo dhe Tromso, si dhe shërbime të tjera emergjente dhe Kryqi i Kuq, u dërguan në vendngjarje”, tha Jan Eskil Severinsen, nga Qendra Norvegjeze e Koordinimit të Shpëtimit, i intervistuar nga transmetuesi publik norvegjez, Nrk.

Autobusi i përfshirë në aksident është i kompanisë së transportit Boreal, siç konfirmohet nga një menaxher i kompanisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb