FIER – Rreth 30 pasagjerë që udhëtonin sot me një autobus të linjës Tiranë-Sarandë pretendojnë se janë mbajtur peng për disa orë nga drejtuesi i mjetit, i cili nuk donte t’i linte të largoheshin, pavarësisht se mjeti i tij kishte pësuar defekt.

Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Kafaraj të Fierit, ndërsa pasagjerët kanë denoncuar rastin në portalin “Jeta osh qef”.

Sipas qytetarëve, ata kanë pritur gjatë që defekti i mjetit të riparohej, por teksa kanë parë që asgjë nuk po bëhej, kanë kërkuar të zbresin për të udhëtuar me një autobus të linjës së Sarandës. Por shoferi i autobusit nuk i ka lejuar të largohen, duke u bllokuar valixhet.

Një pjesë e pasagjerëve arritën të merrnin valixhet duke u konfliktuar me shoferin, ndërsa shumë të tjerë qëndruan gjatë në fshatin Kafaraj, në vendin ku mjeti pësoi defekt.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb