TIRANE- Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi për të përditshmen “Danas”, se i ka dërguar notë proteste Shqipërisë për një hartë të Shqipërisë së Madhe, e cila, sipas mediave serbe, është shfaqur në muret e Kryeministrisë së Shqipërisë natën e Vitit të Ri. Ndërsa nga ana e saj, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë bëri të ditur për “Gazeta Shqiptare”, se “nuk na ka ardhur asnjë notë proteste nga pala serbe deri sot (dje) pasdite”.

Ndërkohë Daçiç për të përditshmen “Danas pohoi se “ne nuk kemi dhe nuk do të bëjmë asgjë që do të komplikojë marrëdhëniet me vendet e rajonit, qoftë me Shqipërinë. Nuk ishte një flamur i Serbisë së Madhe ai që u shfaq në rezidencën e Kryeministrisë serbe, por Flamuri i Shqipërisë së Madhe ai që u shfaq në rezidencën e Kryeministrisë shqiptare. Dhe ne po veprojmë ndaj saj dhe gjithmonë do ta bëjmë. Por kjo nuk na privon ne që të mirëpresim këtë kryeministër dhe të bisedojmë me të për atë se çfarë është e rëndësishme dhe për mundësi të shumta bashkëpunimi”, – ka thënë Daçiç.

Dy ditë më parë, duke folur për të njëjtën çështje, Daçiç akuzoi Perëndimin për dy standarde, pasi siç thotë ai, “nëse një zyrtar serb do dilte në foto me hartën e Serbisë së Madhe, çështja do të trajtohej si një problem i madh në Këshillin e Sigurisë dhe Komisionin Evropian”. Më tej, ai ka shtuar se këto pamje konfirmojnë faktin se ideja e Shqipërisë së Madhe nuk është imagjinatë e Serbisë, por një fakt real dhe që përfaqëson një kërcënim të madh për të gjithë rajonin.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: