Kanë kryer 78 vjedhje, një grabitje dhe krime të tjera. Të martën, dy kosovarë janë dënuar në Gjykatën e Qarkut në Wil (St.Gallen), Zvicër njëri me 7 dhe tjetri me 5 vite burg.

Procesi gjatë javës së kaluar është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Të akuzuarit ishin sjellë në ndërtesën e gjykatës, të lidhur me pranga në duar dhe në këmbë, shkruan tagblatt.ch.

Si pjesëtarë të një bande prej 6 vjedhësish, ata janë autorë të një serie të gjatë krimesh të kryera në vitet 2013 dhe 2014 në vende të ndryshme të rajonit të Zvicrës lindore. Ata kryesisht kishin sulmuar seli të kompanive dhe objekte komunale, transmeton albinfo.ch. Shpeshherë kishin vjedhur kasaforta, të cilat, ose i kishin hapur në vendin e vjedhjes ose i kishin transportuar.

Vlera e sendeve të shtrenjta që ata kishin vjedhur arrin në disa qindra mijë franga. Për kryerjen e krimeve, banda ka përvetësuar edhe automjete dhe tabela regjistrimi të ndryshme. Njërën nga makinat e përdorura, ata e kanë djegur në një pyll afër Sirnach-ut.

Në maj të vitit 2013, dy personat tashmë të dënuar, kishin hyrë dhunshëm në një shtëpi në Hinterthurgau. Ata i kishin lidhur me rripa tre djem të moshës së mitur dhe kishin vjedhur një kasafortë, stoli dhe gjëra të tjera me vlerë.

Në vitin 2014 policia i kishte arrestuar tre veta nga kjo bandë në St. Gallen. Njëri ishte arratisur nga burgu në vitin 2015 ndërsa dy të tjerët janë ata që janë përgjigjur të martën para gjykatës. Të dy kanë qenë të dënuar edhe më parë dhe kanë udhëtuar ilegalisht në Zvicër për të kryer krimet e përmendura.

Prokuroria ka vlerësuar se banda është jashtëzakonisht e stërvitur dhe “vepron profesionalisht” por në të njëjtën kohë edhe në mënyrë të pavëmendshme dhe shkatërruese.

Pas arrestimit, të dy kosovarët e kanë pranuar pjesërisht veprën e tyre dhe kjo ua ka zbutur atyre dënimin.

Të dy të dënuarit ishin shprehur se kanë vjedhur nga mungesa e parave. Njëri prej tyre, gjatë qëndrimit në burg ka lënë mjekrën. Sipas avokatit, për këtë arsye ai është vënë në dyshim se është ithtar i islamit radikal.
Por, ai e kishte hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se ishte vetëm një mysliman besimtar. Prokurori ka kërkuar tetë vjet dhe gjashtë vjet e gjysmë burg për dy të auzuarit ndërsa avokatët. Trupi gjykues vendosi për shtatë dhe 5 vjet heqje lirie. Dy të dënuarit mbahen në burg që nga mesi i vitit 2014.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb