NGA NEWS24 DHE BALKANWEB-
TIRANE-Lajmi i dhënë nga mediat e Beogradit, sipas të cilave policia e Serbisë ka identifikuar dhe ka bërë publike gjeneralitetet e shqiptarit që ngriti dronin me simbolet tona kombëtare në stadiumin ‘Partizani’ të Beogradit, të cilin e ka shpallur në kërkim, nxjerr në pah dy probleme kryesore;

Së pari duket qartë se shteti dhe media serbe po bëjnë ç’është e mundur që t’iu japin zyrtarisht shqiptarëve autorësinë e aktit, të cilin që në fillim e quajtën ‘provokues dhe shkaktar të ngjarjeve që ndodhën në stadium’.

Këtë argument serbët do ta përdorin në çdo tryezë ndërkombëtare, duke filluar që tek gjykimi i UEFA-s për incidentin në fushë, e deri në tryezat diplomatike, duke akuzuar politikën shqiptare për nxitje të aspiratave për zgjerim e ndryshim kufijsh. Nga ana tjetër, duke identifikuar me gjithë gjeneralitetet këtë njeri, media serbe e ekspozon atë ndaj të gjithë rreziqeve, që nga mundësia e arrestimit e deri te ndonjë akt hakmarrës për llogari të shërbimeve sekrete serbe.

Ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë fakt të provuar për autorësinë e ngritjes së helikopterit në fushë, nuk dihet së çfarë faktesh disponojnë autoritetet serbe për ta vërtetuar këtë akuzë. Që nga dita e ndeshjes janë të shumtë njerëzit dhe grupimet që nxituan të marrin autorësinë e aktit patriotik dhe nuk ka asnjë evidencë që vërteton se është pikërisht personi i prezantuar nga policia serbe, autori i vërtetë.

Gjithsesi në kushtet aktuale, ne mediave shqiptare na takon që ta ruajmë identitetin e njeriut të shpallur nga mediat serbe si autor i ngritjes së dronit në fushë, por edhe të çdo shqiptari tjetër që pretendon autorësinë.

Ruajtja e identitetit, është një detyrë humane, profesionale, por edhe kombëtare. Me konfirmimin në median shqiptare të identitetit të autorit të hedhjes së dronit, ne ekspozojmë përfundimisht personin në fjalë ndaj rrezikut; biem pre e abuzimeve të shumta që po ndodhin me këtë fakt dhe ç’është më e rëndësishmja, çojmë ujë në mullirin e kundërshtarit, i cili nuk po le rast pa përdorur për të na fajësuar e për të na bërë përgjegjës për gjithë ç’ndodhi në fushën serbe, dhe më tej për të na akuzuar se jemi në shqiptarët që po dëmtojmë stabilitetin në Ballkan.

Ftojmë që i njëjti kujdes të tregohet edhe në rrjete sociale, pasi zbulimi i fytyrës së autorit, kushdo qoftë ai, nuk përbën tashmë vetëm një motiv krenarie dhe ekzaltimi, por mund të kthehet në bumerang për ne dhe rrezik serioz real për personin në fjalë.

Qendrimi editorial I TV News24 dhe BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb