Krimineli serb në Bosnjë, që urdhëroi një ndër masakrat më të mëdha në Ballkan, që mbahet mend ajo e Srebrenicës, Radovan Karaxhiç ka qenë në vëmendje të mediave botërore këto ditë. Sot ai mori një vendim nga Gjykata e Hagës, e cila e ka dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid e krime kundër njerëzimit, ndërsa emri i “kasapit të Bosnjës” u përmend edhe në masakrën e Zelandës së Re.

Karaxhiç u përmend në masakrën e Zelandës, për faktin se terroristi i dyshuar Brenton Tarrant, pak përpara se të kryente terror, kishte në sfond në makinën e tij këngën “Karaxhiç, heroi i serbëve”, kënduar nga Zeljko Grmusa.

Pikërisht Grmusa është marrë në pyetje nga mediat serbe për faktin se si ndihet tani që kënga e tij dyshohet se kishte “inspiruar” kriminelin në Zelandë. Grmusa tha për “Alo” të Beogradit se kënga ishte thjesht një dedikim për kohën e luftës dhe sipas tij ”nuk ka asnjë lidhje me asnjë lloj krimi”.

‘Është e tmerrshme ajo që ndodhi në Zelandën e Re. Sigurisht që jam në anën e njerëzve të pafajshëm. Ai (Tarrant) është një vrasës dhe nuk ka rëndësi se çfarë kënge po dëgjonte në momentin që ka kryer sulmin e tmerrshëm”, ka thënë këngëtari Grmusa. Ndërsa ai shton se pas masakrës në Zelandë, “ka frikë për jetën e tij”.

Zeljko Grmusa jeton ende në vendlindjen e tij në Serbi dhe tha se kënga ka qenë thjesht për t’i dhënë mbështetje morale ushtrisë serbe. “Kënga është bërë në vitin 1993 gjatë kohës së luftës. Ajo ishte për t’i dhënë një mbështetje morale ushtrisë serbe. Ai (terroristi) zgjodhi këngë serbe, por mund të zgjidhte këngë kineze apo çfarë do. Kjo besoj s’ka lidhje me krimin e tij tepër të shëmtuar”, tha këngëtari serb.

(d.xh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb