Personi që sulmoi me thikë autorin e njohur Salman Rushdie në Nju Jork tani përballet edhe me një padi të re me akuza për terrorizëm.
Padia me tre pika, e dorëzuar në një gjykatë në shtetin e Nju Jorkut, akuzon Hadi Matarin se ka bërë përpjekje që t’i ofrojë ndihmë Hezbollahut, grupit militant libanez që mbështetet nga Irani. Padia nuk e thotë se çfarë lidhje të dyshuara janë zbuluar në mes të akuzuarit dhe grupit që Uashingtoni e ka shpallur organizatë terroriste.
Në fillim të korrikut Matari refuzoi ofertën e prokurorisë që të marrë një dënim më të shkurtër me burg nëse do të pranonte fajësinë për akuzën për përpjekje për vrasje dhe sulm ndaj shkrimtarit Rushdie. Marrëveshja kërkonte që ai të pranonte edhe akuzën federale që ka lidhje me terrorizëm, pavarësisht se ajo akuzë nuk ishte dorëzuar ende në gjykatë.
Tani, të dy rastet do të trajtohen në dy procese të ndryshme, ndërsa përzgjedhja e jurisë në çështjen e shtetit të Nju Jorkut, do të bëhet më 15 tetor. Avokati i të dyshuarit Nathaniel Barone njoftoi se ai planifikon të hedh poshtë akuzat.
Njëzet e gjashtë vjeçari është mbajtur në paraburgim që nga viti 2022 kur kreu sulmin, gjatë të cilit ai e goditi me thikë mbi 10 dhjetë herë autorin e njohur ndërsa zoti Rushdie ishte në skenë duke mbajtur një ligjeratë në Institutin e Chautauqua-s. Një nga plagët i mori shikimin në njërin sy zotit Rushdie. Drejtuesi i bisedës, Henry Reese gjithashtu u plagos gjatë incidentit.
Shkrimtari Rushdie e përshkroi procesin e gjatë e të dhimbshëm të rimëkëmbjes në një libër autobiografik që u publikua në muajin prill.
Autori i njohur ka kaluar vite të tëra në fshehtësi pasi udhëheqësi suprem i Iranit, Khomeini lëshoi një urdhër fetar (fatua) në vitin 1989 që bënte thirrje për vrasjen e zotit Rushdie. Dekreti fetar u lëshua pas publikimit të librit të zotit Rushdie, “Vargjet Satanike”, të cilin Khomeini e cilësonte si libër blasfemik. Shkrimtari iu rikthye aktiviteteve publike gjatë viteve të ’90.
Autori i sulmit ndaj zotit Rushdie në vitin 2022 ka lindur në Shtetet e Bashkuara, por ai ka nënshtetësi edhe të Libanit ku janë lindur prindërit e tij. Ai ka jetuar në Nju Xhersi, para se të kryente sulmin. Nëna e tij kishte deklaruar se ai u bë më i tërhequr dhe i zemëruar pasi e vizitoi të atin në Liban, në vitin 2018.
Sulmi i vitit 2022 nxiti dyshimin nëse zotit Rushdie i është ofruar mbrojtje e duhur pasi ai vazhdon të marrë kërcënime me vdekje. Gjatë ngjarjes, ku ndodhi sulmi, të pranishëm ishin një oficer policor dhe një zëvendës sherif i qarkut ku mbahej ligjërata. Në vitin 1991, përkthyesi japonez i “Vargjeve Satanike” u ther për vdekje. Përkthyesi italian i mbijetoi një sulmi me thikë, ndërsa botuesi norvegjez i librit u qëllua tre herë me armë, por arriti të mbijetojë.
Hetimi i kësaj ngjarjeje ishte i përqëndruar kryesisht tek fakti nëse Matari veproi i vetëm apo në bashkëpunim me grupe militante apo fetare./Voa/