Qindra persona, ndoshta edhe mijëra, mund të kenë humbur jetën nga cikloni Chido në arkipelagun francez Mayotte në Oqeanin Indian, tha të dielën në televizionin lokal një zyrtar i lartë francez.
“Mendoj se do të jenë me siguri qindra, ndoshta edhe mijëra, disa mijëra”, tha në kanalin televiziv Mayotte La 1ere, prefekti Francois-Xavier Bieuville.
E pyetur për viktimat, ministria e brendshme franceze tha se “do të jetë e vështirë të evidentohen të gjitha viktimat” dhe se një shifër e saktë nuk mund të përcaktohej në këtë fazë.
Cikloni Chido goditi në Mayotte gjatë natës, tha administrata zyrtare e metereologjisë Meteo-France, me erëra me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë që dëmtuan vendstrehimet, godinat e qeverisë dhe një spital. Sipas Meteo-France, kjo ishte stuhia më e fuqishme që ka goditur ishullin në mbi 90 vite.
Pamjet e marra nga ajri nga forcat e xhandarmërisë franceze tregonin rrënojat e qindra barrakave nëpër kodrat e njërit prej ishujve Mayotte, ku ka patur një përqëndrim emigrantësh të paligjshëm nga Comorosi fqinj.
Rezultoi e vështirë përllogaritja e viktimave pas ciklonit, që shkaktoi shqetësime edhe për qasjen tek ushqimi, për ujin e pijshëm dhe higjienën, thanë autoritetet.
“Për numrin e viktimave, do të komplikohet situata, pasi Mayotte është territor mysliman ku të vdekurit varrosen brenda 24 orëve”, tha më herët një zyrtar i ministrisë së brendshme franceze. Sipas ministrisë, në Mayotte gjenden mbi 100 mijë emigrantë pa dokumente.
Duhen katër ditë udhëtim me anije që të mbërrihet në Mayotte, e gjendur gati 8 mijë kilometra larg Parisit. Mayotte është më e varfër se pjesa tjetër e Francës dhe është përballur prej dekadash me dhunën nga bandat dhe trazirat sociale.
Rreth 77% e banorëve në Mayotte jetojnë nën pragun e varfërisë.
Tensionet ishin shtuar më herët këtë vit për shkak të mungesës së ujit të pijshëm.
Cikloni u zhvendos të dielën drejt Mozambikut verior, ku nuk ishin ende të qarta pasojat e goditjes. Sipas një njoftimi në rrjetin X të monitoruesit të internetit NetBlocks, reshje të mëdha dhe erërat kishin dëmtuar furnizimin me energji dhe infrastrukturën e telekomunikacionit./VOA