Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur me 97,700,736 lekë (970 mijë euro) kompaninë e tregtimit të çimentos ANTEA CEMENT SHA. Përmes një njoftimi, Konkurrenca njofton se gjatë vitit 2022, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës ka monitoruar tregun e prodhimit/importit dhe shitjes me shumicë të çimentos, me qëllim evidentimin nëse ka apo jo shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës në këtë treg.

Nisur nga ky fakt, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të çimentos gri dhe të bardhë, për periudhën kohore nga 1 Janari 2019 deri në 31 Mars 2023.

Nga analiza e çmimeve të shitjes së ndërmarrjes Antea Cement Albania SHA për produktet çimento gri 32.5 R me thasë dhe 42.5 R rifuxho, kompania aplikon çmime eksesive të cilat nuk kanë lidhje të arsyeshme me vlerën ekonomike të produktit, pasi ka diferencë të konsiderueshme midis çmimit mesatar mujor të shitjes sipas tipeve të çimentos dhe kostos mesatare mujore të prodhimit të çimentos.

Njoftimi i plotë

Gjobitet në shumën 97,700,736 Lekë ndërmarrja ANTEA CEMENT SHA për shkelje të rëndë të nenit 9, pika 2, germat “a” dhe “c”, të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Gjatë vitit 2022, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës ka monitoruar tregun e prodhimit/importit dhe shitjes me shumicë të çimentos, me qëllim evidentimin nëse ka apo jo shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës në këtë treg. Në përfundim të këtij monitorimi, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 895, datë 05.07.2022, vendosi hapjen e hetimit paraprak në tregun e prodhimit/importit dhe shitjes me shumicë të çimentos, për të vlerësuar nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës, sipas parashikimeve të nenit 4 dhe 9 të ligjit nr. 9121/2003. Referuar konkluzioneve të hetimit paraprak, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 969, datë 24.03.2023, vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të çimentos gri dhe të bardhë, për periudhën kohore nga 1 Janari 2019 deri në 31 Mars 2023.

Në vazhdim të procedurës, pas realizmit të inspektimeve dhe analizës së të dhënave u hartua raporti i hetimit të thelluar i cili i’u bë me dije ndërmarrjes Antea Cement SHA.

Nga hetimi i thelluar u konstatua se, bazuar në pjesën e tregut të kësaj ndërmarrjeje, barrierat për hyrjen në treg, fuqinë ekonomike dhe financiare, konkurrencën potenciale, fuqinë kundërvepruese të blerësve dhe homogjenitetin e produkteve, ndërmarrja Antea Cement SHA ka pozitë dominuese në tregun e shitjes me shumicë të çimentos gri brenda vendit, përkatësisht për cimento 32.5 R me thasë, për vitet 2019-2022, dhe cimento 42.5 R rifuxho, për vitet 2021-2022.

Nga analiza e çmimeve të shitjes së ndërmarrjes Antea Cement Albania SHA për produktet çimento gri 32.5 R me thasë dhe 42.5 R rifuxho, krahasimi i çmimit mesatar të shitjes me koston mesatare të prodhimit dhe krahasimi i çmimeve mesatare të shitjes së produkteve brenda dhe jashtë vendit rezulton se: ndërmarrja Antea Cement Albania SHA aplikon çmime eksesive të cilat nuk kanë lidhje të arsyeshme me vlerën ekonomike të produktit, pasi ka diferencë të konsiderueshme midis çmimit mesatar mujor të shitjes sipas tipeve të çimentos dhe kostos mesatare mujore të prodhimit të çimentos; në vitin 2020, çmimi mesatar i shitjes së produktit është rritur, megjithëse kosto mesatare e prodhimit të çimentos pëson rënie; çmimi i shitjes së çimentos jashtë vendit është më i ulët se çmimi i shitjes brenda vendit; ndërmarrja Antea Cement SHA ka aplikuar çmim më të ulët për një ndërmarrje kliente të saj në raport me klientët e tjerë, për periudhën nën hetim;  ndërkohë për një ndërmarrje tjetër ka vendosur në mënyrë të njëanshme kushte të padrejta dhe të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me klientët e saj duke i vendosur ato në kushte të pafavorshme konkurrence, sjellje e cila bie në kundërshtim me nenin 9, pika 2, gërma a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003.

Sa më sipër Komisioni Konkurrencës me vendimin nr.1091 datë 01/07/2024  vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun prodhimit dhe shitjes së çimentos gri dhe të bardhë, si dhe:

II.    Konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të ndërmarrjes ANTEA CEMENT SHA në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të çimentos gri.

III.  Gjobitjen e ndërmarrjes ANTEA CEMENT SHA për shkelje të rëndë të konkurrencës konkretisht të nenit 9, pika 2, gërmat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003, në shumën 97,700,736 (nëntëdhjetë e shtatë milion e  shtatëqind mijë e shtatëqind e tridhjetë e gjashtë) Lekë

IV  .Monitorimin e sjelljes së ndërmarrjes Antea Cement SHA, për një periudhë 1 (një) vjeçare nga data e daljes së këtij vendimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb