Autoriteti i Konkurrencës ndalon rritjen e çmimit të patentës. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme, teksa thuhet se akt marrëveshja, me hyrjen në fuqi do të çojë në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg.

Si e tillë kjo Akt Marrëveshje, në kuptim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 9121/2003, është e ndaluar.

VENDIMI

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 24.03.2023, mori në shqyrtim çështjen “Mbi vlerësimin ligjor të Akt Marrëveshjes nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, të lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës “Kombëtare të Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, e cila ka për objekt de facto dhe de jure caktimin e tarifës së pagesës dhe kostos referuese minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose certifikatës.

Në përfundim të vlerësimit ligjor, u konstatua se Akt Marrëveshja nr.2729 prot., datë 13.02.2023, lidhur ndërmjet grupeve të interesit përfaqësues të Autoshkollave, DPSHTRR-së dhe DPT-së, është një marrëveshje e ndaluar në vetvete për nga objekti, në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma a), të ligjit nr. 9121/2003, pasi me hyrjen në fuqi do të çojë në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg.  Si e tillë kjo Akt Marrëveshje, në kuptim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 9121/2003, është e ndaluar.

Sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 970, datë 24.03.2023 vendosi:
I. Akt Marrëveshja nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, e lidhur ndërmjet palëve: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave”, Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vlerësohet si një akt marrëveshje në kundërshtim me nenin 4 të ligjit 9121.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

II. Monitorimin e tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës, për një periudhë 1 (një) vjeçare.

III. Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës në kuptim të nenit 74, pika 1, gërma c), të ligjit nr. 9121/2003.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb