Avionët e Izraelit kanë lëshuar fletushka mbi Gazën jugore të shtunën, me foton e shefit të vdekur të Hamasit, Yahya Sinwar si dhe me mesazhin se “Hamasi nuk do ta udhëheqë më Gazën”.

Kjo lëvizje erdhi pasi sulmet izraelite vranë të paktën 32 persona në Rripin e Gazës dhe ushtria rrethoi spitalet në Jabalia në veri, kanë thënë zyrtarët palestinezë.

Në fletushkat që binin nga ajri shkruhej në gjuhën arabe: “Kushdo që lëshon armët dhe i dorëzon pengjet do të lejohet të largohet dhe të jetojë në paqe”.

Izraeli e ka quajtur triumf të madh vrasjen e liderit të Hamasit.

Vrasja e Sinwarit nga forcat izraelite është një kthesë dramatike në luftën brutale njëvjeçare në Gazë.

Sinwar vlerësohet se ka qenë arkitekti i sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar në jug të Izraelit, gjatë të cilit janë vrarë 1200 persona, ndërsa janë marrë afro 250 pengje. Sulmi ka qenë fillim i luftës në Gazë e që tashmë është shtrirë edhe në Liban.

Vrasja e Yahya Sinwar është konfirmuar të premten edhe nga vetë militantët e Hamas.

Tel Avivi dhe perëndimi shpresojnë se vrasja e liderit të Hamasit pritet të jetë fillimi i fundit të konfliktit të përgjakshëm në eklavën palestineze të Gazës e cila në 80% të saj është shkatërruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb