NGA SPARTAK KOKA*

TIRANË- Fitor Alliaj dhe Maksim Llanaj dy shqiptarët e arrestuar për avionin e kapur në Torino për transport droge, rezultojnë të mos kenë hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2015.

Burime pranë grupit hetimor në Tiranë bëjnë me dije të tjera detaje rreth hetimit të përbashkët që po zhvillohet mes Italisë dhe Shqipërisë për grupin kriminal që u kap me datën 7 shtator në Torino.

Nga këto të dhëna mësohet se Maksim Llanaj dhe Fitor Alliaj nëpërmjet lidhjeve të tyre farefisnore dhe shoqërore në Shqipëri kishin garantuar sigurimin e lëndës narkotike, pa qenë nevoja e udhëtimit drejt Vlorës.

Nga të dhënat mësohet se Maksim Llanaj rezident në Itali ka ardhur për herë të fundit në Shqipëri në 31 maj të vitit 2014  ku ka qëndruar tre ditë dhe është larguar.

Ndërsa shtetasi Fitor Alliaj ka ardhur në gusht të vitit 2014 ku ka qëndruar 3 javë dhe është larguar.

Sipas të njëjtave burime, në bazë dhe të përgjimeve të siguruara nga autoritet italianë, krahas 4 shtetasve të arrestuar me datën 7 shtator janë identifikuar paraprakisht si të përfshirë në rrjetin e trafikimit të lëndëve narkotike edhe 6 shtetas shqiptar dhe dy italianë.

Një pjesë e tyre po mbahen nën vëzhgim nëpërmjet metodave special të hetimit në mënyrë që të arrihet tek “bosi” i marijuanës në Vlorë. Bashkëpunimi mes policisë italiane dhe asaj shqiptare është intensifikuar së fundmi në kuadër të luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

Bashkëpunim ky që u vlerësua dhe gjatë vizitës së fundit të Drejtorit të bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë italiane Dr. Gennaro Capaluongo në Tiranë në takimet që pati me drejtorin e policisë shqiptare Haki Çako.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb