Pesëmbëdhjetë persona mbetën të plagosur në Korenë e Jugut, katër prej të cilëve në gjendje të rëndë pasi një avion luftarak hodhi aksidentalisht tetë bomba në një lagje civile dhe duke dëmtuar  një kishë  gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Incidenti me avionin KF-16 të Forcave Ajrore ndodhi rreth orës 10:04 me orën lokale në qytetin Pocheon, pranë kufirit me Korenë e Veriut.

Paraprakisht, besohet se vetëm një bombë ka shpërthyer. Një ekip për asgjësimin e bombave po punon për çaktivizimin e shtatë bombave të tjera të pashpërthyera, ndërkohë që banorët e zonës janë evakuuar.

Ministria e mbrojtjes  deklaroi  se trajnimi lidhej me një stërvitje të përbashkët me forcat amerikane.

Sipas Forcave  Ajrore të Koresë së Jugut  tetë bombat 500 paund nga dy avionë KF-16 ranë jashtë poligonit të qitjes gjatë stërvitjeve të përbashkëta me gjuajtje të drejtpërdrejtë.

“Na vjen keq për dëmin e shkaktuar nga aksidenti anormal dhe i urojmë të lënduarve shërim të shpejtë”, thuhet në një deklaratë të Forcave Ajrore.

Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të zhvillojnë stërvitje të kombinuara nga 10 deri më 20 mars , të parat që nga kthimi i presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo vjen në një kohë kur të dy vendet janë gjithnjë e më të kujdesshme ndaj aleancës në rritje midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.

(BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb