Mosinformimi mbi ligjin e emigracionit gjerman, ka sjellë jo pak probleme për shqiptarët që tentojnë të largohen drejt këtij shteti. Në kuadrin e informimit të të rinjve, Uniteti Global Shqiptar dhe Gjerman ka mbajtur leksionin e hapur “Emigracioni dhe Ligji” për studentët e Drejtësisë në universitetin Luarasi.


Të pranishëm në këtë takim ishin edhe negociatorët e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman, avokatja për të drejtat e njeriut, Kadrije Gurmani dhe profesor Nuhi Krasniqi. I ftuari special, avokati gjerman i emigracionit Lars Dippel, gjatë bashkëbisedimit me juristët e ardhshëm, dha detaje të rëndësishme mbi ligjin gjerman.


Por cilat do të jenë ndryshimet e ligjit të emigracionit gjerman prej 1 mars-it të 2020-ës? Avokati gjerman thekson se fillimisht duhet të sigurohet një kontratë pune dhe më pas të aplikohet për vizë në ambasadë.


“Ndryshimet interesante që kanë ndodhur në ligjin për emigracionin në Gjermani kanë të bëjnë me faktin se kualifikimi i punonjësve nuk është kusht për të gjetur një punë në këtë vend. Pra edhe një punonjës që nuk ka kualifikimin e duhur sipas standardit gjerman, mund të vijë në Gjermani dhe të kërkojë punë, pa qenë e nevojshme të jetë i mirëkualifikuar sipas standardeve tona. Fillimisht duhet të mësoni se si të aplikoni për një punë në Gjermani pasi ju nevojitet një kontratë pune. Më pas duhet të aplikoni për vizë në ambasadë. Në të ardhmen lehtësohen procedurat e mund të vini në Gjermani pa pasur një kontratë pune. Gjithashtu ju nevojiten të ardhura të mjaftueshme sepse askush nuk do t’u financojë aty, mund të merrni me qira një apartament e të kërkoni punë”, tha avokati Dippel.

Vitet e fundit, punonjësit e shëndetësisë në vendin tonë i janë drejtuar kurseve të gjuhës gjermane dhe mijëra prej tyre kanë arritur të sigurojnë kontrata pune në Gjermani. Avokati Lars Dippel tregon se cilat janë profesionet më të kërkuara të momentit nga shteti gjerman dhe nivelin e gjuhës që duhet mbrojtur për të fituar punën.

“Profesionet më të kërkuara në Gjermani kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor, si për shembull infermierë, punonjës të specializuar për të dhënë ndihmën e parë në ambulancë, punonjës të kujdesit intensiv; të cilët duhet të kenë një trajnim në vendin e tyre të origjinës. Gjithashtu Gjermania kërkon punonjës ndërtimi dhe shumë profesionistë të tjerë. Nëse keni një nivel të kënaqshëm të gjuhës dhe përfshiheni në shoqërinë gjermane aq më lehtë do ta keni integrimin”, tregoi ai.

Për të gjithë ata që mendojnë ende azilin si opsion për të shkuar në Gjermani, avokati i emigracionit thotë se kjo mënyrë nuk është zgjidhje.
“Azili vazhdon ende. Do të ishte naive të mendojmë se njerëzit nuk po vijnë ende duke kërkuar azil në Gjermani. Ata vijnë ilegalisht dhe kjo nuk është e mirë për ta sepse nuk kanë një status ligjor. Kjo do të thotë se nuk paguajnë taksa dhe për pasojë nuk gëzojnë sigurim shëndetësor”, deklaroi Dippel.

Presidenti i Uniteti Global Shqiptar dhe Gjerman, Nuha Krasniqi shprehet i surprizuar mbi motivimin dhe interaktivitetin e studentëve të “Luarasi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb