TIRANE – Avokati mbrojtës i deputetit Armando Prenga kërkon në gjykatë revokim të masës së sigurisë për klientin e tij, i cili qëndron në arrest me burg prej gati dy muajsh, me pretendimin se nuk ka kryer vepër penale. Avokati deklaroi sot në gjykatë se Prenga është kërcënuar.

Ndërkohë deputeti Prenga deklaroi se e shkrehu pistoletën vetëm për të trembur Gjok Calin, në përplasjen mes dy fiseve, Cali e Prenga, për motive pronësie.
Ekspertët e mjekësisë ligjore, kanë dalë në përfundimin se plagosjet me armë zjarri të Tom e Nikollë Calit, klasifikohen si “plagosje të lehta” me dashje. Në krye të herës, prokurori ngriti akuzën e “plagosjes së rëndë” me dashje ndaj Prengës, por kjo akuzë ka rënë, pasi mjekësia ligjore flet për plagosje të lehta.

Avokatët theksuan më tej, se ndonëse mbi supet e Armando Prengës rëndojnë dyshime se ka konsumuar edhe akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë dot një gjë të tillë. Në fakt, edhe prokurorët e çështjes thanë se plagosjet janë cilësuar si të lehta dhe u kapën fort pas argumentit se Prenga ka edhe akuzën e “armëmbajtjes”, në një kohë që theksuan faktin se nuk është gjetur asnjë armë zjarri në vendngjarje.

Ngjarja
Rreth dy muaj më parë, Armando Prenga u arrestua, pas një konflikti të ndodhur mes fiseve Prenga dhe Cali në Kurbin. Policia tha se dy familjet u përplasën për shkak të mosmarrëveshjeve të lindura për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut. Laguna për vite me radhë ishte shfrytëzuar nga familja Cali dhe kohët e fundit i ishte kaluar për shfrytëzim vëllait të deputetit socialist.

Natën e ngjarjes, sipas policisë, Armando Prenga ka shkuar te lokali i Gjok Calit dhe aty është takuar me djalin dhe nipin e këtij të fundit. Dorian Cali ka njoftuar të atin, Gjokën, i cili është nisur në drejtim të lokalit. Në Fushë-Kuqe, është ai është përballur me Armando Prengën. Deputeti pretendon se Gjok Cali i ka zënë pritë dhe, duke qenë se i kërcënohej jeta, me pistoletën që mbante me leje ka qëlluar në ajër për ta trembur.

Ndërsa, Gjok Cali këmbëngul se Prenga e ka goditur me qytën e pistoletës në kokë. “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur, Gjok Cali, në orën 23:40, ka njoftuar sallën e komunikimit të komisariatit të policisë Kurbin, se ‘te lokali i Calëve në Patok është goditur me pistoletë nga deputeti Armando Prenga’. Pas marrjes së këtij njoftimi, grupi i drejtimit të komisariatit të policisë Kurbin, ka shkuar në lokalin e shtetasit Gjok Cali dhe ka marrë njoftim me të, duke i kërkuar të paraqitej në komisariat, për të bërë kallëzim penal dhe dhënë shpjegime për ngjarjen. Në këto rrethana, Gjok Cali bashkë me vëllezërit e tij, Tom Cali e Nikollë Cali dhe kushëririn Gjergj Cali, janë nisur me automjetin e tij ‘Mercedes-Benz’ me ngjyrë gri me targë LA7227 A, për në komisariatin e policisë Kurbin. Ata janë shoqëruar dhe nga Françesk Cali, nipi i Gjokës, me një automjet tjetër tip ‘BMW’”, thuhet në dosje.

Ndërsa Gjok Cali po bënte kallëzim, të afërmit e tij janë përplasur me pjesëtarë të familjes Prenga dhe për pasojë kanë mbetur shtatë persona të plagosur. Në dosjen e prokurorisë thuhet se këta shtetas kanë filluar të konfliktohen fizikisht në oborrin e komisariatit dhe më pas deputeti Armando Prenga ka përdorur armë zjarri tip pistoletë. Nga të shtënat më pistoletë është plagosur në këmbë Tom Cali. Gjithashtu, gjatë këtij konflikti janë përdorur edhe armë të ftohta dhe kanë mbetur të dëmtuar, Gazmir Jushi, Eduart Prenga, Gjergj Cali, Gjok Cali dhe Nikollë Cali.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: