Në vitin 2023, institucioni i Avokatit të Popullit njofton se ka trajtuar gjithsej 7056 raste dhe kërkesa, një rritje prej 792 raste më shumë se vitin 2022. Tregues ky se qytetarët gjithnjë e më shumë po orientohen drejt këtij institucioni për shqetësimet dhe padrejtësisë me të cilat ndeshen.
“Ky progres është një dëshmi e besimit tuaj në punën tonë dhe e përkushtimit për të siguruar drejtësi për çdo qytetar. 1259 raste janë identifikuar si raste “brenda juridiksionit dhe kompetencës” së institucionit tonë. 1021 raste përbëjnë kërkesa dhe ankesa të drejtpërdrejta nga qytetarët. Kjo tregon se gjithnjë e më shumë qytetarë po na besojnë për të zgjidhur problemet dhe shqetësimet e tyre“, thuhet në njoftimin e AP.
Avokati i Popullit saktëson se 238 raste janë trajtuar me iniciativën e vetë institucionit. “Ky numër reflekton angazhimin tonë proaktiv për të identifikuar dhe adresuar çështjet që prekin të drejtat e njeriut edhe kur ato nuk janë raportuar direkt tek ne”.
“75 raste kanë rezultuar jashtë juridiksionit tonë, të cilat janë referuar në institucionet përkatëse për trajtim të mëtejshëm. Kjo tregon përpjekjet tona për të siguruar që çdo çështje të marrë trajtimin e duhur nga autoriteti përkatës.
5722 raste janë trajtuar në formën e këshillimeve dhe orientimeve, duke u ofruar qytetarëve udhëzime të qarta mbi rrugët ligjore që duhet të ndjekin për trajtimin e rasteve të tyre. Kjo shifër e lartë thekson rolin tonë të rëndësishëm në edukimin ligjor dhe orientimin e qytetarëve drejt zgjidhjeve të drejta.
Avokati i Popullit ju falenderon për çdo kërkesë, ankesë dhe për çdo rast që keni ndarë me ne. Ky besim na motivon të vazhdojmë të përmirësojmë punën tonë dhe të mbrojmë të drejtat e çdo qytetari”, përfundon mesazhi i Avokatit të Popullit.
(BalkanWeb)