Një lëvizje e paralajmëruar që me datë 17 qershor nga kryeministri Edi Rama, për gazetarin gjerman të “Bild”, Peter Tiede i cili publikoi audio-përgjimet për shitblerje votash në gazetën BILD.

Kryeministri Rama me një status në Twitter njoftoi sot se sapo i ka dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për të nisur procesin gjyqësor mbi publikimet e Bild!

Avokati I Rames 2
Avokati I Rames 2

Statusi i plotë i Ramës:
“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije” Kush është avokati gjerman Matthias Prinz?

Matthias Prinz është një avokatë i njohur i mediave në Gjermani dhe në qytetin e tij në Hamburg. Ai është i preferuari i artistëve të famshëm.

Sipas Manager Magazin klientët e tij janë nga biznesi, por edhe të famshëm dhe fisnikë, apo aristokratë.

Në biografinë e tij zyrtare në website-in e studios ligjore Prof. Matthias Prinz ka studiuar në universitetin e Hamburgut e më pas në Harvard. Ai ka punuar avokat në New York nga vitin 1984 e më pas rikthehet për të punuar në Hamburg një vit më vonë.

Prof. Prinz ka ndikuar shumë sa i takon hartimit të ligjeve të medias dhe ka mbrojtur edhe raste të cilësuara historike në në Gjykatën Federale të Drejtësisë, në Gjykatën Kushtetuese federale gjermane si dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Që nga viti 1997 ai jep mësim në disa universitete të ndryshme. Është profesor i nderuar në FU Berlin që nga viti 2006 dhe bashkëthemelues i Berlin Media Professional School.
Gazetarët në Gjermani si dhe në qytetin e tij në Hamburg e kanë halë në sy. Media Welt shkruan në një artikull të viti 2016 se konsiderohet i vështirë për tu mposhtur dhe shpesh cilësohet si armik i shtypit të lirë.

“Përkundrazi, jam kundër gazetarisë së keqe. Jam kundër historive të sajuara. Artikujt e sajuar nuk kanë lidhje me gazetarinë, njerëzit e humbasin besimin tek media” shprehet ai gjatë një interviste në WELT.

Një kuriozitet tjetër është se avokati i njohur 62 vjeçar ka shkruar artikuj pikërisht në gazetën BILD në fillim të viteve 1980. Ai kishte një faqe ku shkruante për qytetin e Hamburgut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb