“Rezultatet e testit të Agjencisë Kombëtare të Provimeve për nxënësit e klasave të 3-ta dhe të 5-ta pasqyrojnë në mënyrë të qartë papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e drejtuesve qendrorë dhe vendorë për të përmirësuar sistemin arsimor 9-vjeçar, i cili është baza e formimit të brezit të ri”. Kështu shprehet organizata, Avokati i Rinisë pas publikimit të rezultateve të këtyre nxënësve.

Avokati i Rinisë dënon ashpër deklaratën e Ministrisë e cila bën përgjegjës kryesorë prindërit e nxënësve të cilët janë me arsim të mesëm dhe jo veten dhe strukturat e veta të paafta për të menaxhuar sistemin arsimor. “Ky raport doli më i dobët se i vitit të kaluar dhe përsëri nuk pati dorëheqje, nuk pati pranim faji, por vetëm premtime dhe politikë me shifrat e bardha. Ne shprehim indinjatën tonë sa i përket raportit për treguesit e nivelit midis shkollave publike dhe private, ku këto të fundit kanë nivel më të lartë të nxënësve”, thotë Avokati i Rinisë.

Sipas tij, këtë shifër Ministria e fshehu në deklaratën publike, sepse kjo shifër nuk ka të bëjë as me prindërit e as me kurrikulat, por ka të bëjë me keqmenaxhimin dhe mungesën e investimit në shkollat publike. “Në shkollat tona nuk ka ngrohje, nuk ka klasa dhe zhvillohet mësimi me turne. Për këto problem nuk e kanë fajin prindërit por politika dhe vetëm politika. Ne deklarojmë me forcë se Ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla duhet të kërkojë falje publike të gjithë prindërve të fëmijëve që mësojnë në shkollat publike, për këto rezultate skandaloze, për fëmijët që jo për faj të tyre vuajnë analfabetizmin dhe për drejtuesit e papërgjegjshëm pranë kësaj ministrie që e vetmja gjë që dinë të bëjnë është eksperimenti me kurrikulat”, përfundon reagimin Avokati i Rinisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb