Nga: Dorjana Bezat

TIRANE- Më shumë se 720 emigrantë të paligjshëm kanë hyrë në Shqipëri dhe pasi janë kapur nga policia janë strehuar në qendrën kombëtare të azilantëve në Babrru. 509 persona kanë hyrë gjatë majit dhe 215 në 13 ditët e para të qershorit. Disa prej tyre kanë kërkuar të jetojnë në Shqipëri, ndërsa të tjerë janë strehuar përkohësisht sepse synimi i tyre është të kalojnë në Europë.

Fillimisht ata vijnë dhe strehohen në këtë qendër ku pas verifikimeve të cilat zgjasin 3-4 javë pajisen me leje të posaçme qëndrimi si edhe me dokumente shqiptare për sistemin shëndetësor. Ata lejohet të dalin vetëm për disa orë nga qendra. Pasi fitojnë statusin e azilantit politik ata integrohen në shoqëri duke pasur një oficer kontakti i cili mban lidhje periodike me ta. Banorët e zonës tregojnë se numri i azilantëve të strehuar në Babrru ndryshon çdo ditë. Shumë prej tyre largohen nga këto ambiente natën dhe pa lejen e autoriteteve për të kaluar më pas në Europë.

Ulash, Mezin, Erxhan dhe Samir janë 4 prej azilantëve që jetojnë pranë kësaj qendre. Ata thonë se ndryshe nga kampet e tjera ne Greqi ku janë strehuar më parë në Shqipëri janë ndjerë të mirëpritur.
Pasi të pajiset me dokumente shqiptare Ulash ëndërron të hapë një restorant ku të shërbejë kebap si ai që gatuhet në vendlindjen e tij.

Por ka edhe nga ata azilantë që në Shqipëri janë përkohësisht pasi ëndrra e tyre është Europa.
Në 2 vitet e fundit në qendrën e azilantëve kanë ndodhur shumë ndryshime. Kampi është modernizuar dhe për të plotësuar nevojat gjithmonë në rritje për azilantët është ndërtuar një pallat 4 katësh. Duke qenë se kryesish pasdite azilkërkuesit dalin nga qendra për shëtitje apo për të konsumuar ndonjë kafe, banorët e Babrroit janë mësuar me ta, dhe prezenca e tyre nuk i bezdis.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: