PESHKOPI – Babai i 20-vjeçares që filmoi ish-kryebashkiakun e Peshkopisë i ka çuar fjalë Shukri Xhelilit, duke e njoftuar se janë në gjak. Në një intervistë për “News24”, Aqif Alla deklaroi se Xhelili i ka bërë gjithë të zezat, pasi ka abuzuar me vajzën e tij dhe pas publikimit të videos i ka hequr nga puna edhe djalin.

“Jam në gjak me Shukri Xhelilin, ka abuzuar me vajzën time. I kam çuar fjalë Xhelilit, më ka bërë gjithë të zezat. Pas publikimit të videos, djalin ma hoqën nga puna pa asnjë motiv. Ai ka punë me mua, jo me fëmijët e mi.”- shprehet ndër të tjera Aqif Alla.

Babai i 20-vjeçares del në mbrojtje të së bijës, duke theksuar se nuk është bërë pishman për atë që bëri vajza e tij.

“Nuk do ta ndaloja vajzën edhe sikur të ma tregonte. Do i largoj fëmijët nga vendi, unë do rri le të më vrasë Xhelili. Shukriu më shkatërroi fëmijët dhe familjen.”- deklaroi Alla.

Pas publikimit të videoskandalit, ku ish-kreu i Bashkisë së Dibrës shfaqet duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune me një 20-vjeçare, ai u shkarkua nga detyra, ndërsa fillimisht prokuroria vendosi hetimin e tij në gjendje të lirë dhe më pas u arrestua. Gjatë marrjes në pyetje, 56-vjeçari pati deklaruar se kishte rënë pre e një kurthi të ngritur nga kundërshtarët e tij.

Ndërkohë pas publikimit të videos, vajza që bëri denoncimin si dhe familjarët e saj deklaruan se ndihen të kërcënuar dhe se nuk dalin dot nga shtëpia. Nisur nga situata e krijuar, ata i bënë apel shtetit për ndihmë.

“Videon e bëra publike, pasi ndihesha vazhdimisht nën presionin e fjalëve të tij dhe për çfarë kërkonte ndaj meje. Kjo ka qenë e vetmja arsye dhe nuk ka qenë çështje politike dhe as çështje parash. Nuk jam penduar për publikimin e videos, por ndihem e kërcënuar. Nuk kam dalë nga shtëpia, ndaj nuk ka kuptim më që të rri këtu, pasi nuk kam siguri as për familjen dhe as për veten time”, -tha 20-vjeçarja me iniciale A.A.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb