Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Edhe pse 24 orët e fundit kanë qenë tronditëse për Bashkim Tahirin, ai nuk ka hezituar të kthehet në farmacinë e tij. I shoqëruar nga dy civilë, roje personale të vendosur rishtas, babai i ministrit të Brendshëm ditën e djeshme është shfaqur në biznesin e tij privat, në krye të punëve. Ka qenë ora 12:30 minuta kur babai i ministrit të Brendshëm u shfaq për pak minuta tek ambientet e farmacisë së tij, ndërkohë që shumë njerëz kanë shkuar ta takojnë dhe t’i shtrëngojnë dorën. Bashkim Tahiri u ka qëndruar larg mediave, ndërsa nga larg është parë teksa u ka dhënë disa direktiva njerëzve të tij më të afërt dhe pas 10 minutash është larguar nga farmacia, e cila dy ditë më parë u hodh në erë si pasojë e shpërthimit të 400 gramë tritol që ishin vendosur te kondicioneri i saj. “Gazeta Shqiptare” ka mundur që ta kontaktojë në telefon babain e ministrit të Brendshëm, por ai nuk ka pranuar që të komentojë shumë rreth ngjarjes së ditës së martë, ku familja e tij ishte në shënjestër të atentateve me tritol. “Ju falenderoj për solidarizimin dhe për telefonatën tuaj. Unë nuk dua të komentoj shumë rreth kësaj ngjarjeje, ia kam lënë në dorë drejtësisë. Kur të mbarojë punën drejtësia, atëherë do të flas unë”, është shprehur 64-vjeçari. Ai dhe bashkëshortja e tij, Luiza, pas ngjarjeve të mëngjesit të ditës së martë janë marrë në mbrojtje, por kjo nuk e ka penguar aspak babain e ministrit Tahiri që një ditë pas ngjarjes, edhe pse për pak minuta, të shkojë pikërisht në vendin ku nga persona ende të paidentifikuar u vendos 400 gramë tritol. Nga ana tjetër, edhe vetë shtëpia e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ruhet nga efektivët e Gardës me turne, ndërsa në banesën e mëparshme të prindërve të Tahirit, për momentin nuk ka njeri.
Shenjat e shpërthimit
“Gjurmët” e shpërthimit të fortë që shkatërruan mëngjesin e së martës farmacinë e babait të ministrit Tahiri, thuajse janë zhdukur. Brenda pak orësh godina është rikonstruktuar dhe shenjat e shkatërrimit, duken pak, ose për të mos thënë me sy të lirë, as që dallohen. Nga jashtë duket qartë që farmacisë i mungon vetëm kryqi, ndërsa vrima e madhe e hapur në mur nga shpërthimi i dy ditëve më parë duket sikur nuk ka ekzistuar fare, pasi që në orët e para të mëngjesit të djeshëm kishte nisur puna për meremetimin e murit të farmacisë. Por, puna në farmaci nuk është ndërprerë as nga punonjëset e saj, disa vajza të reja të cilat punojnë si farmaciste pranë biznesit që është në emër të babait të ministrit Tahiri. Procesi i rikuperimit të dëmeve ka nisur edhe tek bizneset e tjera, të cilat si pasojë e distancës së afërt me farmacinë janë dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm i tritolit. Xhamat e thyer, muret e rrënuar dhe objektet e dëmtuara janë zëvendësuar brenda 24 orëve me të reja dhe duket se në lagjen përballë Spitalit të Pediatrisë në QSUT ka nisur puna nga të gjithë për ta rikthyer lagjen ashtu siç ka qenë para se të ndodhte shpërthimi në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndonëse dy ditë më parë në këtë zonë jeta duket se ishte pezulluar për pak çaste, mesditën e djeshme secili kishte filluar të merrej me punët e tij. Dy djem të rinj riparonin derën e shtëpisë të thyer nga shpërthimi, më tej karriget e një fast-food-i që është ngjitur me farmacinë janë mbushur plot, të njëjtat karrige që dy ditë më parë ishin thyer, ndërsa lokali i zonës i ka zëvendësuar të gjitha xhamat dhe muret e dëmtuar dhe ekspresi i kafesë ka nisur punën si zakonisht.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: