Botimi i një pjese nga raporti i ekspertizës angleze të “JP French Associates” nuk ka vërtetuar dot as që përgjimi i “Babales” ishte i besueshëm, as atë që pretendon Edi Rama, se ai ishte një lojë me aktorë, e luajtur në selinë e PD-së. Me pak fjalë, ai thotë se zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm, Agron Xhafajt nuk është i deshifrueshëm për shkak të cilësisë së dobët. Por ai nuk mbështet dot as versionin e mbrojtur nga Prokuroria, Rilindja dhe gazetarët pranë tyre, se rolin e ka luajtur Fredi Alizoti, në këmbim të parave që i janë ofruar nga qarqe pranë PD.

Pra, ajo që na u premtua nga kryeministri me siguri të plotë, se prova shkencore ndërkombëtare që ai arriti ta marrë në më pak se 24 orë, rezultoi një dështim.

E vërteta mbeti në mes. Socialistët sërish do të vazhdojnë të thonë se e gjitha ka qenë një montim dhe demokratët do ia kthejnë se manipulimin e kanë bërë ata.

Në mungesë të një institucioni të besueshëm ndërkombëtar për zbardhjen e ngjarjes, rolin e ndriçimit të saj do ta marrë sërish në dorë Prokuroria shqiptare.

Po, për të kuptuar sa e aftë është ajo ta mbajë të veshur këtë kostum, filmin duhet ta kthejmë një vit më parë.

Atëherë socialistët shpallën se, në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe frymën e reformës në drejtësi, kryeprokuroren do ta zgjidhnin me votat e tyre. Opozita ia ktheu se këtë po e bënin për të mbyllur të gjitha çështjet që u digjnin.

Qeveria këmbënguli se kjo prokurore do të qëndronte vetëm një apo dy muaj, nuk do të kishte të drejtë të bënte lëvizje, nuk do të gëzonte kompetenca t’u hiqte dosje vartësve apo t’i transferonte ata. Në fakt, të gjitha këto ndodhën njëra pas tjetrës.

Dhe kësaj prokurorie i takon të zbardhë sot dosjen “Babale-Agron Xhafaj”.

Dhe është e lehtë të shikohet se ç’ka bërë.

E la menjëherë Agron Xhafajn të largohej nga vendi sepse nuk i interesonte të hetonte atë. E përqendroi të gjithë hetimin te pista që e shfajësonte Xhafajn, duke përforcuar versionin e një aktori me pagesë? Nuk u thellua në investigim se mos ky aktori me pagesë ishte përpunuar nga ata që ishin të interesuar për ta daravitur skandalin që u plasi në derë. Nuk ngriti pikëpyetje se si i bëhet që ekspertët britanikë të “JP French Associates” nuk japin garanci që ai të jetë zëri i Fredi Alizotit.

Pa përfillur asnjë nga këto dilema, publikut shqiptar do i serviret gjella tashmë e njohur se avionët e drogës janë mushkonja, se Dritan Zagani është trafikant, se Saimir Tahiri nuk i njeh Habilajt, se Xhisiela vetëdigjej me cigare dhe se Taulant Balla nuk ka foto me trafikantë. Ata do të dëgjojnë se dikush ka paguar kunatin e “Babales”, Fredi Alizotin, që të bënte rrolin e vëllait të ministrit të Brendshëm, në një plan të mirëmenduar për të rrëzuar qeverinë. Ata do të dëgjojnë se e gjitha ishte një montim. Ata do të dëgjojnë se filmi u luajt dhe u sponsorizua në zyrat e SHQUP-it.

Natyrisht, të gjitha këto edhe mund të jenë të vërteta.

Por, kjo nuk i heq askujt të drejtën të logjikojë nga e kundërta. Përse gjithçka nuk qenka gatuar në vilën e Surrelit? Pse Rama, kur paska qenë i ndërgjegjshëm se një aferë e tillë i rrëzoka qeverinë, të mos ketë manipuluar ai? Pse një njeri që u quajtka aq i korruptuar sa të marrë para nga njëra palë, mos i merrkërka ato edhe nga pala tjetër? Pse ta kenë paguar demokratët Alizotin dhe të mos e kenë paguar socialistët, që të luajë rrolin e një të dëshpëruari që nuk i kanë dhënë 100 mijë eurot e premtuara?

Pra, pse duhet të besojmë se ateljeja e kinostudios qenkësh ngritur në SHQUP dhe jo në Surrel?

Me sa duket, të dyja këto variante do të vazhdojnë të bashkëjetojnë. Dhe për këtë ka vetëm një përgjegjës. Ata që na premtuan një ekspertizë të besueshme ndërkombëtare dhe nuk na e sollën, ata që një vit më parë nuk nguruan ta lyejnë prokurorinë me ngjyrat e tyre.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb