TIRANE- Për ofro dy orë e 30 minuta deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me audio përgjimin në të cilën pretendohet se shfaqet vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në pazare droge. Ndryshe nga herët e tjera, deputeti demokrat Ervin Salianji mbërriti në prokurorinë e Krimeve të Rënda nën shoqërinë e një avokati. Ai dha shpjegime para prokurorëve, në cilësinë e personit nën hetim, për kallëzim të rremë në kuadër të të ashtuquajturës çështja Babale.

Prokuroria dyshon se deputeti në bashkëpunim me Albert Veliun, i njohur si Babalja, Fredi Alizotin e gazetarin Jetmir Olldashi, fabrikuan audiopërgjimin, ku implikonin Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj.  Ligjvënësi demokrat dha shpjegime edhe për videon e dytë në të cilën Fredi Alizoti, njeriu që sipas prokurorisë dyshohet se imitoi zërin e Agron Xhafajt në bisedën me ‘Babalen’, implikonte socialistin Taulant Balla dhe kreun e policisë së Shtetit Ard Veliu, që i kishin ofruar favore për të kaluar në anën e tyre. Burime nga prokuroria thanë se Salianji pretendoi se videon ia vuri në dispozicion ish-zyrtari i Policisë Florenc Hoxha. Ai mohon të ketë njohje me Fredi Alizotin, i cili sipas ligjvënësit bënte presione në Partinë Demokratike për të marrë para për mbrojtjen që i kishte dhënë Babales, pas publikimit të audiopërgjimit. Në të kundërt, ai do të kalonte në anën e Partisë Socialiste, e për këtë arsye, u filmua nga ish-polici Hoxha.

Salianji ka pranuar se videon e kishte në dispozicion prej muajit qershor, kur Edi Rama e Taulant Balla folën për një aktor që kishte imituar Agron Xhafajt, por vendosi ta publikonte vetëm pasi u mor person nën hetim. Kjo, pasi vetëm në këtë mënyrë, mund të cmontonte provën kryesore të fabrikuar nga vartësit e Xhafajt. Jashtë godinës së Xhamtë, i pyetur se cilën nga dëshmitë e Aluizotit besonte, Ervin Salianji nuk kurseu ironinë për kryeministrin Rama kur tha se: Unë besoj në Zot, te Alizoti beson Edi Rama!

Pyetje nga gazetarët:

Me çfarë statusi jeni pyetur sot?

Në datën 9, para publikimit te videos, prokuroria më ka sjellë kërkesë si person nën hetim. Unë sot jam nën hetim për shkak se kallëzuesi Agron Xhafaj, i dënuar për trafik droge më ka kallëzuar mua denoncuesin dhe gazetarin. Viktima kallëzuese nuk ka ardhur asnjëherë për trafikun, por ka ardhur për kallëzim.

Për videon e parë iu pyeti prokuroria, pasi flitet per një takim tuajin me Albert Veliun?
Prokuroria ishte e qartë sa publiku, që rrjedhja e hetimit ka ndryshuar, kam dhënë edhe persona të tjerë që kanë dijeni për hetimin dhe fakte të tjera, që Taulanti dhe Ardi Veliu kanë dhënë një pako të mirë për dëshmitarin kryesor, i cili tregoi të gjithë historinë e tij dhe si është fabrikuar nga vartësit e Fatmir Xhafajt.

Ku është realizuar videoja e dytë?
Në lidhje me këtë çështje jam vendosur në dijeni në qershor. Kur kam parë që prokuroria e ka pasur këtë person të besueshëm e kam bërë publike. Të gjitha detajet i kam dhënë te prokuroria, besoj shumë shpejt do ta keni

Ju i besoni Fredi Alizotit në versionin e parë apo të dytë?
Unë besoj në Zot, te Alizoti beson Edi Rama.

Akuzat:

Salianji u paraqit pranë organit të akuzës në orën 09:30, dhe u mor në pyetje si person në hetim, pasi akuzohet per ‘kallëzim të rremë’.

Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria caktoi masat e sigurimit “arrest me burg” për dëshmitarin Albert Veliu i njohur si ‘Babalja’, dhe Fredi Alizotin që thuhet se ka bërë zërin e Agron Xhafajt. Gjithashtu është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për gazetarin Jetmir Olldashi për ‘kallëzim të rremë’. Ndërkohë Veliu u arrestua dje në Kosovë.

Nuk dihet nëse organi i akuzës do kërkojë heqjen e imunitetit për deputetin Ervin Salianji, që i hap rrugë më pas caktimit të masës së sigurisë ndaj tij.
(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb