TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë detaje nga dosja hetimore në lidhje me audio përgjimin në të cilën pretendohet se shfaqet vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në pazare droge.

Prokuroria njofton se se do të marrë në hetim edhe deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën ‘kallëzim të rremë’. Deputeti është thirrur për t’u pyetur si person në hetim në datën 12 tetor 2018.

Më datë 12.10.2018 i është bërë ftesë për paraqitje shtetasit Ervin Salianji për t’u pyetur si person, ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” në bashkëpunim”-thuhet ndër të tjera nga organi i akuzës.

Në lidhje me këtë cështje, Prokuroria bën me dije se ka caktuar masat e sigurimit “arrest me burg” për dëshmitarin  Albert Veliu i njohur si ‘Babalja’, dhe Fredi Alizotin që thuhet se ka bërë zërin e Agron Xhafajt. Gjithashtu është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për gazetarin Jetmir Olldashi për ‘kallëzim të rremë’.

Nuk dihet nëse organi i akuzës do kërkojë heqjen e imunitetit për deputetin Ervin Salianji që i hap rrugë më pas caktimit të masës së sigurisë ndaj tij.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb