TIRANE

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji e ka cilësuar tërësisht në shkelje të ligjit zgjatjen e afateve të hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për çështjen ‘Babalja” për të cilën ai dhe gazetari Olldashi janë në hetim për akuzën e “kallzimit të rremë”.

“Prokuroria është në shkelje të ligjit. Hetimi është politik. Nuk ka asnjë arsye për zgjatjen e afateve të hetimit. Një gjë e tillë bëhet për të mbajtur një tymnajë dhe për të mos i dhënë drejtim lidhjes së qeverisë me krimin dhe favorizimit të trafiku të drogës nga ana e qeverisë së Ramës dhe ish-ministrit të tij të Brendshëm. Vazhdon një hetim jo për personin që është në burg (Agron Xhafën) në Itali por për ne që e kemi denoncuar dhe gazetarin”,- tha Salianji.

I patrembur nga vendimi që do marrë gjykata për të, Salianji tha se PD-ja do vazhdojë denoncimin e rasteve të tilla.

Ai njoftoi po ashtu se të hënën pritet të dalë vendimi për çështjen në fjalë. “ Nuk ka asnjë shqetësim asnjë merak nga ana ime vetëm një merak për zbatueshmërinë e ligjit dhe nxjerrën para përgjegjësisë të personave që merren me trafik droge. Gazetari që denoncon Jetmir Olldashi është ende nën hetim, kurse afatet e hetimit për Sajmir Tahirin që akuzohet për trafik droge janë mbyllur. Nuk e di çfarë ka kjo çështje që zgjatet për 9 muaj”,- shtoi deputeti i PD.

Më herët deputeti ka sqaruar në prokurori se, për audio-përgjimin “Babalja”, nuk ishte ai ndërmjetësi i takimit Olldashi-Albert Veliu (Personi që akuzoi vëllain e Fatmir Xhafës për trafik droge). Ndërsa për videon e dytë me aktorin e këtij përgjimi, Fredi Alizotin, deputeti shpjegoi se ia kishte dhënë shtetasi Florenc Hoxha.

Sakaq avokati i Ervin Salianjit tha se: “Pretendimet tona kanë të bëjnë me ankimimin tonë për mos zgjatjen e hetimeve. Kërkojnë të zvarrisin procesin duke pyetur të njëjtin person siç është Fredi Alizoti. Gjykata do shprehet të hënën për ankimin. Dosja është transferuar nga njëra gjykatë tek tjetra”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb