Në Fier duket se fushata elektorale edhe pse në mënyrë indirekte sapo ka nisur. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij në “Facebook” ish-deputeti Luan Baçi, kryetar i PD në Fier është ndalur tek investimet që po kryhen aktualisht në qendër të qytetit të Fierit. Mes të tjerash në statusin e tij Baçi është fokusuat tek njëra nga urat, e cila është përfshirë nga rikonstruksioni, duke e cilësuar ndërhyrjen në të abuzive.

“Të dashur bashkëqytetar, ka kohë që bashkia Fier, po investon, shuma të konsiderueshme, në qendër të qytetit, pasi në lagjet periferike dhe zonat rurale, pra ish-komunat, as që bëhet fjalë, ato janë harruar.
Por edhe këto investime, që bëhen, janë investime abuzive, pa cilësi dhe më shumë se 50 % e parave vidhen dhe kalojnë në xhepat e pushtetarëve të korruptuar, që mendojnë vetëm për veten dhe aspak për qytetarët.
Mos t’i shikojmë gjërat politikisht, mos t’i shikojmë me tifozllëk, por të shikojmë realitetin në sy.
Thjesht po biem në vëmendjen tuaj, të dashur bashkëqytetar, vetëm një detaj, të vogël në dukje, por që tregon abuzimin dhe vjedhjet e mëdha, që po bëhen me anë të këtyre investimeve.
Hidhini një sy urës në këtë foto, shikoni poshtë saj, në vend të hekurit cilësor që duhet të kishte, çfarë ka? Llamarina të vjetra të mbledhura sa andej-këtej dhe hekura të ndryshkur, jashtë çdo kushti dhe garancie teknike.
A nuk është abuzim ky? A nuk është vjedhje kjo? Ku venë këto para? Kaq kemi mundësi të shikojmë, pasi nuk japin asnjë info, nuk lejojnë asnjë investigim.
Ne po denoncojmë hapur dhe i bëjmë thirrje prokurorisë të nisë urgjent hetim, për këto vjedhje dhe abuzime, që po varfërojnë akoma më shumë qytetarët e ndershëm dhe të varfër të këtij vendi.
Ngrihuni të dashur qytetarë, ngrihuni për të mirën tuaj, kërkoni llogari, pasi këto janë paratë tuaja, jua marrin juve, janë para të fëmijëve tuaj”, shkruan Baçi.

Luan Baci
Luan Baci

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Bashkisë Fier, ku përveç cilësimit si baltosje të gjithçka të bërë deri më sot në Fier i ka kërkuar z. Baçi që të jetë më i interesuar për projektet dhe gjithçka do të bëhet në investime publike përpara se të marrë guximin të gënjejë qytetarët. Deklaratën Bashkia e ka shoqëruar bashkë me raportin teknik.

“Bashkia Fier ndihet e vlerësuar për faktin që investimet e mëdha që prej 4 vitesh kanë përfshirë gjithë territorin e saj kanë rënë në sy edhe të atyre që nuk duan t’i shikojnë, por ndihet e keqardhur për baltën që duan t’ua hedhin të tjerëve. Ata që na kanë ndjekur në çdo hap punën tonë dhe vetë qytetarët që kanë përfituar nga çdo shërbim e investim, e dinë mirë që nuk ka pasur asnjë diferencim në shpërndarjen e punëve dhe investimeve në fshat apo qytet. Ato që janë bërë në çdo njësi administrative gjatë këtyre 4 viteve, as nuk ishin menduar dhe jo më të bëheshin në të kaluarën. Nuk duam të hyjmë në detaje, por do të ndalemi te përbaltja e fundit dhe e pajustifikuar që po i bëhet investimit më të madh të kryer ndonjëherë në Bashkinë e Fierit, atë të rehabilitimit të lumit Gjanica dhe Rikonceptimit të Qendrës së Qytetit. I nderuar qytetari Luan Baci. Sikur të kishit harxhuar vetëm 5 minuta nga koha juaj, për të parë projektin total dhe veçanërisht atë të urës të cilës i referoheni, atëherë ju nuk do të arrinit të gënjenit qytetarët e Fierit në mënyrën më të shëmtuar. Projekti i kësaj ure nuk parashikon ndërtimin e saj nga e para. Ajo do të ndërtohet mbi harqet ekzistuese të saj, si një gjetje ose zgjidhje arkitektonike, që do të lidhë bashkë historikun e qytetit me të ardhmen e tij”, deklaron Bashkia.

Fier Bashkia
Fier Bashkia

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb