Nga: Monika STAFA

Studimi – Besueshmëria në mediat tradicionale në të gjithë Europën drejt rritjes

Në këtë epokë të bollëkut me informacion, besueshmëria mbetet komponenti më i rëndësishëm në marrëdhëniet që ngrihen mes medias dhe audiencës. Por, na duhet ta pranojmë se ruajtja e një niveli të lartë të kësaj besueshmërie po bëhet gjithmonë e më sfiduese në një botë të mbushur me flluska e filtra informacioni dhe me “newsroom”-e, ku fabrikohen shumë më lehtë lajme të rrema apo jo. Ndaj, matja e nivelit të besueshmërisë është thelbësore për përcjelljen e perceptimeve të qytetarëve mbi organizatat që hartojnë strategjitë në media e deri produktin e saj. Kjo është vendimtare për ndërtimin e audiencës dhe e dobishme për planifikimin strategjik të zhvillimeve mediale në vendet anëtare në EBU, mes tyre edhe Shqipëria.

Sapo ka përfunduar një hulumtim serioz, i cili bazohet në të dhënat e publikuara në sondazhin e 86-të të Eurobarometrit. Raporti jep një ide të perceptimit të qytetarëve evropianë mbi besueshmërinë e disa llojeve të mediave, duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së, vendet e pranuara dhe ato kandidate. Një sondazh mbi besimin në media u zhvillua nga Shërbimi i Inteligjencës së Medias pranë EBU-së për të përftuar një ide më konkrete, mbi nivelin e besueshmërisë që media ka tek qytetarët në secilin vend, pavarësisht nga llojet e ndryshme të saj.

Ndërsa besimi tek mediat në tërësi mund të ketë shënjuar nivelin më të ulët në historikun e saj gjatë viteve të fundit, ky studim i EBU-së (Unioni i Transmetuesve Publik të Evropës) ka zbuluar së fundmi se në mediat tradicionale (TV dhe shtyp i shkruar) besimi i publikut, ka shënjuar progres në rritje. Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët e fushës, të cilët vazhdojnë të këmbëngulin bazuar në ekspertizën e tyre se megjithatë, besimi i njerëzve në median e re vazhdon të shënjojë rënie. 61% për qind e vendeve evropiane nuk i zënë besë internetit, ndërsa 97 për qind e tyre nuk u besojnë aspak rrjeteve sociale. Studimi i EBU me përkufizimin “Të besosh në Media 2018” tregon se si hendeku i besimit të njerëzve mes medias tradicionale dhe asaj të re vazhdon të rritet. Media elektronike gjithsesi vazhdon të mbetet formati më i besuar; 59% e njerëzve priren të kenë besim tek radio (shifër e vlefshme për 2017) dhe 51% e tyre besojnë tek TV (është shënuar një rritje prej 1% për 2017). Këto shifra sigurisht vlejnë për vendet e BE-së. Prej këtij studimi është mësuar gjithashtu se besimi në shtypin e shkruar, gjithashtu është përmirësuar ngadalë gjatë pesë viteve të fundit. 47% e qytetarëve brenda BE-së besojnë në këtë lloj formati tradicional. Ndër të tjera, ekspertët paralajmërojnë se besimi i njerëzve tek interneti dhe në mediat sociale është shkatërruar nga lajmi i rremë (fake news), keqinformimi dhe dezinformimi. Tani vetëm 34% e qytetarëve të BE-së i besojnë internetit dhe vetëm 20% e tyre u besojnë rrjeteve sociale (respektivisht 36% dhe 21% krahasuar me vitin 2017). Prej studimit gjithashtu është arritur në përfundimin se besimi i qytetarëve evropianë në mediat elektronike është i lidhur ngushtë me një shtyp të lirë dhe të pavarur. Sa më i lartë niveli i besimit tek radio dhe TV i një vendi, aq më e madhe liria e shtypit në atë vend ka tendencë të jetë.

Në studim, në të cilin janë përfshirë dhe vende që janë jashtë BE-së, është vërejtur se ka dallime të forta rajonale mbi bësueshmërinë e medias nga publiku, psh. vendet nordike krahasuar me Shqipërinë. Të parat kanë prirjen të besojnë në median tradicionale më së shumti, ndërsa evropiano-lindorët kanë tendencën t’u besojnë më shumë rrjeteve sociale apo dhe internetit. Shefi për Strategjinë e EBU, Roberto Suarez Candel, ndër të tjera në një dalje publike tha se gjetjet e hulumtimit tregojnë se një media me cilësi dhe e paanshme është ajo që vlerësohet më shumë nga qytetari. “Transmetuesi publik – tha ai – është motori që luan një rol të rëndësishëm në arritjen e këtij objektivi, ku së bashku me anëtarët e tjerë të unionit (EBU) përbëjnë një kontribut të paçmuar në shoqëritë demokratike. Roli i anëtarëve tanë në ruajtjen e vlerave demokratike dhe mbështetjen e lirisë së medias është demonstruar qartazi nga rezultatet e studimit tonë”.

Unioni i Transmetuesve Publikë të Evropës (EBU), organizata kryesore e cila mbledh rreth vetes pjesën dërmuese të transmetuesve publik në Evropë, pohon se transmetuesit publik janë pjesë e modelit të shoqërisë evropiane. Ai “ka mision dhe detyrë që të ofrojë skemë programore, e cila kënaq pritjet e të gjithë shikuesve, derisa kanalet komerciale i drejtojnë programet e tyre drejt konsumatorit”. EBU gjithashtu thotë se, “televizionet evropiane ofrojnë garanci të pakrahasueshme për të gjitha shtresat e shoqërisë, në mënyrë që të gjithë në Evropë të kenë qasje në programet, të cilat përfaqësojnë identitetin e tyre kulturor, politik, ekonomik etj.”. Këto pikëpamje elitiste mund të jenë, apo nuk mund të jenë të arsyeshme. Mirëpo, në bazë të lirisë së zgjedhjes së konsumatorëve mund të komplikoj shumë një pjesë të madhe misionin e transmetuesve publikë. Kjo mbetet gjithsesi një sfidë tjetër e së ardhmes.

Projekti “Të besosh në Media 2018” bazohet në të dhënat e publikuara në sondazhin e 88-të të Eurobarometrit dhe jep një ide të perceptimit të qytetarëve evropianë mbi nivelin e besueshmërisë së llojeve të ndryshme të mediave. Anketa përmban rreth 1000 intervista të drejtpërdrejta dhe është realizuar në 33 vende europiane, anëtare ose kandidate për anëtarësim.
Burimi://www.gsh.al/2018/03/05/back-to-basics/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: