Armand Kullau
Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar çështja e sigurisë ushqimore, specifikisht importi i bagëtive të imta ose e gjedhëve të infektuar nga vende të tjera, ndërsa ato pajisen me çertifikata false.
Për rastet e denoncuara nga veterineri Baki Myrtollari dhe ish Drejtori, Fatmir Ozuni, Presidenti i Urdhrit të Shërbimit të Veterinarisë në Shqipëri, Ervin Resuli, deklaroi se është ngritur një grup investigimi.
“Ajo që bëjmë ne në përditshmërinë tonë është mbikqyrja e standartit veterinar dhe legjislacionit veterinar. A janë kryer të gjitha procedurat gjatë kësaj procedure, konfiskimi i këtyre kafshëve?! A është ndjekur procedura ligjore? A kanë lëvizur të gjitha institucionet apo veterinerët që janë të përfshirë, a kanë bërë shkelje apo skanë bërë shkelje?”, deklaroi për “Vetting” Ervin Resuli.
Sipas mediave greke, grupet që organizonin fabrikimin e çertifikatave false për matrikullimin e bagëtive, por edhe për procesverbalet e therjeve, në të paktën 11 raste kanë kryer shkelje për rreth 200 kafshë të gjalla, kryesisht gjedhë, por edhe bagëti të imëta. Këto bagëti dyshohet se janë trafikuar në rrugë të kalimit jo zyrtar kufitar.
Sipas Presidentit të Urdhrit Veterinar, Resuli, “referuar ligjit të shërbimit veterinar, nenit 9, pika 2, shërbimi veterinar që konstaton disa kafshë pa pronarë dhe pa origjinë, në rastin konkret siç mund të jenë kafshët e kontrabandës, në mënyrë të menjëhershme duhet të bëhet asgjesimi dhe groposja e tyre.”
Alarmi për për çështjen e brucelozës, sipas ekspertëve, lidhet edhe me faktin se pakujdesia në konsumimin e këtij mishi mund të ketë pasoja fatale deri në sterilitet për meshkujt.
“Tek meshkujt është më e rrezikshme për shkak se shkakton orkide dhe fatmirësisht pjesën dërrmuese të rasteve, këto lloj orkidesh janë të njëanshme. Nuk shkakton sterilitet të plotë, por shkakton sterilitet përgjysmë”, tha Prof. Xhelil Koleci.