Elis Bakaj në muajin mars u largua nga Kukësi duke u transferuar në Bjellorusi te klubi i Shakhtar Soligorsk. Mediat atje kanë qenë të interesuara për 30-vjeçarin dhe për këtë arsye i kanë shkëputur një intervistë nga ku futbollisti ka zbuluar jo pak.
Ajo që bën më shumë përshtypje është deklarata e Bakajt për ndeshjen e shumëpërfolur mes Vllaznisë dhe Tiranës në sezonin e kaluar ku bardheblutë për herë të parë ranë një kategori më poshtë.
Deri kohët e fundit, Shqipëria është konsideruar si vendi më i varfër në Europë. A ka ndonjë përparim?
Në Tiranë bëhet një jetë e mirë, por në rrethe, kështu-ashtu. Në Bjellorusi shoh të njëjtën gjë. Pagat janë rritur. Mesatarisht, mendoj se njerëzit marrin 500-600 euro në muaj. Por, çmimet janë më të larta se këtu. Nuk e di se e sa para mund të blihet një apartament normal në Minsk, por në Tiranë, me 50 mijë euro ju do të merrni vetëm një hyrje të vogël.
A ka shteti juaj mundësi reale për t’u bashkuar me Bashkimin Europian?
Këto ditë kam lexuar një artikull, ku thuhej se kjo është e mundur në katër, ose pesë vite. Vendi është i etur për të hyrë në BE dhe bën atë që thotë Europa, si në luftën kundër korrupsionit, rritjen e pagave dhe zhvillimin e biznesit.
A është e vërtetë që pothuajse çdo shqiptar dëshiron të emigrojë?
Shumë njerëz largohen. Kjo është bërë më e lehtë, sepse tani nuk kemi nevojë për viza në Europë. Më parë, shumë shkuan në Greqi, por atje ka një krizë dhe njerëzit po kthehen. Nga Gjermania, Franca dhe Belgjika, askush nuk po kthehet. Por, në tri vitet e fundit, turistët janë shtuar te ne. Deti është shumë i mirë në vend, janë dy aeroporte pranë bregut.
Vjet nuk pranuat të luanit me skuadrën ku bënit pjesë kundër ish-skuadrës suaj. Si mund të ndodhë kjo gjë në futbollin profesionist?
Filluan të më bënin presion. Më bënin telefonata me kërcënime. Më thanë që, nëse luaja në atë ndeshje, do të ishte më mirë të mos kthehesha më në Tiranë. Dhe ai është qyteti im i lindjes, atje kam shtëpinë, familjen. Nga ana tjetër, drejtuesit e Vllaznisë insistonin që të merrja pjesë në këtë duel për mbijetesë. Por, fola me trajnerin dhe e binda se ishte më mirë nëse do të luhej pa mua. Kjo situatë, ku të dyja skuadrat luanin për mbijetesën, mund të kalonte në ekstrem, në çdo moment.
(e.k/BalkanWeb)