Bekim Balaj është shndërruar në personazhin kryesor këto dit në Rusi. Të dielën në ndeshjen kundër Zenitit, bomberi shënoi dy gola në katër minuta duke kthyer ndeshjen dhe sigluar tre pikët për Terek Groznin. Dopietë që e çon në kuotën e tetë golave, në krye të klasifikimit të golashënuesve në Rusi. Tri pikë të arta falë dy golave të sulmuesit kuqezi dhe Terek Grozni e sheh veten në vendin e tretë, me vetëm katër pikë diferencë nga Zeniti. Lidhur me momentin e shkëlqyer që po kalon, Shkodrani në një prononcim për “Panorama Sport” rrëfeu për formën që po kalon.

Dy gola Zenitit për katër minuta, mund të quhet si ndeshje e çmendur kjo e sotmja (dje) nga ju?

(qesh…). Nuk e di nëse mund ta cilësoj të tillë, por di të them që ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jam pa diskutim shumë i kënaqur, se Zeniti është një ndër skuadrat pretendente dhe fitorja ndaj tyre, me dy golat e mi, më bëjnë që të jem i gëzuar. Aq më tepër, kur ne jemi në vend të tretë falë kësaj fitoreje.

Po shënoni rregullisht ngaqë është përmirësuar forma juaj, apo Tereku ka diçka… të veçantë?
Kemi bërë ndeshje të mira. Është një skuadër që ka investuar shumë. Jo vetëm unë dhe Roshi, por në këtë ekip ka shumë futbollistë kombëtareje. Unë po shënoj, pasi me të vërtetë që jam furnizuar shumë me topa në zonë. Si nga krahët, por edhe me lojë, kemi prodhuar shumë raste. Normalisht që si, çdo sulmues, unë kam dëshirë të shënoj sa më shumë dhe ndihem mirë kur shtohet numri i golave. Kam gjetur veten në këtë ekip.

Me kaq shumë sa po shënoni, ka vend edhe për pyetjen se cili është synimi juaj këtë sezon? Keni një numër të saktë golash?
E kam dhënë gjithmonë përgjigjen për këtë pyetje: të shënoj sa më shumë (qesh…). Për të qenë realist, as unë nuk e kam menduar se mund të shënoja kaq shumë, por vetëm kam punuar dhe jam përpjekur që të bëj maksimumin tim. Për t’ju kënaqur sadopak me përgjigjen, mund të them që po arrij disa prej synimeve që i kam të parashikuara në kontratë. Megjithatë, më besoni që ato bonuse nuk i mendoj fare. Nuk janë asgjë, përpara kënaqësisë që ndiej në fushë, kur puna jona e përditshme finalizohet me 3 pikë.

A është kjo, forma më e mirë e juaja në karrierë?
Po, mund ta them që jam në momentin më të mirë të karrierës. Po luaj në çdo ndeshje dhe si sulmues, për të cilin golat janë të rëndësishëm, unë fatmirësisht po shënoj rregullisht.

Kur u transferuat në Rusi, u mendua se iu larguat kampionateve të forta dhe zgjodhët për para…
E vërtetë, sepse diçka e tillë thuhet ngaqë në Shqipëri janë shumë të lidhur me kampionatet elitare në Europë dhe këtë në Rusi e mendojnë si cilësor vetëm për nga niveli i pagave. Mirëpo, jo. Këtu jam përballur me skuadra shumë të forta. Kampionati rus ka ekipe që kanë pasur sukses në Europa Ligë apo edhe Champions. Është një kampionat shumë konkurrues që nuk duhet nënvlerësuar aspak.

Mbase për herë të parë, forma juaj e dikton një vend të sigurt në formacion përballë Izraelit. E keni menduar këtë gjatë kësaj periudhe?
Duke qenë në Kombëtare, nuk mund të mos e mendoj ndeshjen e radhës. Aq më tepër, që ajo ndaj Izraelit është shumë e rëndësishme për ne. Megjithatë, jam fokusuar shumë te ndeshjet e ekipit dhe falë kësaj, të gjithë bashkë, ia kemi dalë që të sigurojmë një vend të rëndësishëm. Unë kam pasur edhe herë të tjera formë të mirë përpara ndeshjeve të Kombëtares, por është një zgjedhje që i takon vetëm trajnerit. Sa i përket formacionit, golat përballë Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë duket se ma sigurojnë diçka të tillë këtë herë, por e rëndësishme është që unë të jem në formë.

Kjo dopietë, a i shkon si “dedikim” përballjes me Izraelin?
Golat edhe mund të harrohen, por forma jo. Ajo ka shumë rëndësi përpara një takimi.
(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: