Është plotësisht e vërtetë që në bazën e të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve tanë të aftë për të votuar është 3 milionë e gjysmë. Sikurse është po ashtu e vërtetë se në censusin (regjistrimin zyrtar të popullsisë) e fundit të zhvilluar në tetor 2011, numri i banorëve të Shqipërisë ishte 2 milionë e 821 mijë e 977 veta. Popullsia jonë ka ndryshuar shumë pak në këto tetë vitet e fundit. Është rritur me vetëm rreth 70 mijë veta (sipas INSTAT, në vitin 2018 ishim 2 milionë e 870 mijë banorë (http://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe-social%C3%AB/popullsia/publikimet/2018/popullsia-e-shqip%C3%ABris%C3%AB-1-janar-2018/ ). Jemi rritur kaq pak për dy arsye. Së pari, ka rënë fort rritja natyrore (raporti lindje-vdekje), pasi çiftet si në qytet dhe në fshat bëjnë më pak fëmijë nga pasiguria ekonomike. Së dyti, kemi shumë më tepër shqiptarë që i largohen vendit, nga ata që janë kthyer nga emigracioni. Vetëm në gjashtë vitet e fundit (2013-2018) i janë larguar Shqipërisë si emigrantë 300 mijë veta. Kështu që duam s’duam, jemi vetëm 2 milionë e tetëqind mijë veta. Tre milionë e gjysmë shqiptarë që sheh në ëndërr opozita jonë reale se mund të votonin në Shqipëri më 30 qershor, por s’votuan, ngelet vetëm një ëndërr e bukur. Si dhe 85 për qind e kësaj mase virtuale, pra dy milionë e shtatëqind mijë veta që nuk votuan, prapë është një shifër që duhet të marrësh hashash që ta besosh. Sepse sërish, duam s’duam, shqiptarë me të drejtë vote në Shqipëri, si më 30 qershor edhe tani, duke hequr rreth 600 mijë fëmijë në moshën nga zero deri në 18 vjeç, janë 2 milionë e dyqind mijë.

Këtë opozita jonë e pranon. Mirëpo shton se po të kishin qenë zgjedhjet pluraliste, jo moniste, këta 1 milion e treqind mijë shqiptarë me të drejtë votë që i mungojnë regjistrit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të kishin ardhur për të votuar nga vendet ku banojnë si emigrantë(?!). Ne jemi mësuar që shumë emigrantë votojnë, sidomos në qershor kur ka zgjedhje dhe ata i kap kjo periudhë, ngaqë janë kthyer me pushime në vendin e tyre. Edhe pse shumica e atyre që kthehen e bëjnë këtë zakonisht në muajt korrik ose gusht. Ndërsa emigrantë që enkas vijnë për të votuar nga Greqia apo Italia ku banojnë, janë shumë të rrallë. Disa mijëra vetë. Aq më pak ata nga vende si Gjermania, Britania e Madhe apo SHBA-të e Kanadaja. Në rastet më të mira kur kanë votuar emigrantët e ndodhur me pushime në Shqipëri, ose kanë ardhur disa qindra apo mijëra enkas, mund të kenë qenë maksimumi 25-30 mijë veta syresh. Kjo nuk mbulon shifrën e entuziazmit të opozitës prej një milion e treqind mijë emigrantë që do të votonin atë. Në të kundërt, qytetarëve, sa herë del ky 85 përqindëshi magjik i fitores opozitare (pra braktisjes masive nga shqiptarët të votimeve në 30 qershor), duket se duan t’i bëjnë hundëleshë dhe të tallen me ta. Është si të luash një balet shifrash të droguara.

Pa asnjë bazë logjike brenda. Opozita jonë duhet t’i përvishet punës dhe të fuqizojë kauzat e saj. Nuk mund kurrsesi ta ketë kalë fitues abuzimet në zgjedhjet e mëparshme, pse ato janë kryer rregullisht si nga kjo parti e sotmja në pushtet, ashtu edhe nga dy partitë e tjera sot në opozitë. Kauzën më të mirë dhe fituese që ajo duhet të përqafojë (nuk është se më parë nuk e ka përdorur, por pa sukses), është kapja e shtetit. Abuzimet e përbindshme me tenderat publikë në vlerë disa dhjetëra apo edhe qindra milionë euro. Përzgjedhjen e kompanive vendëse që më parë, për të qenë fitueset e këtyre tenderave dhe shkretimin e shanseve për kompani të huaja apo bashkime kompanish të vogla e të mesme shqiptare që të marrin pjesë (në mbi 75 për qind të tenderave të infrastrukturës me vlerë mbi 1 milion euro të zhvilluara në këto 5 vitet e fundit, pjesëmarrja e kompanive të regjistruara jashtë vendit tonë ka qenë zero!). Që do të thotë se për të gjithë këta tendera njihej fituesi përpara se sa tenderi të organizohej, duke pasur disa kompani të tjera vendëse pjesëmarrëse sa për formë (rregullim pjesëmarrjeje mes vetë oligarkëve tanë). Edhe pse qeveria pas dhjetorit 2018 dhe skandalit me kompaninë fantazmë “DH Albania” duket se ka vënë pak mend, opozita duhet të vërtetojë se kapja e shtetit ka bërë që rritja ekonomike të mos prodhojë vende të reja pune dhe paratë publike kanë përfunduar nëpërmjet tenderave të trukuar vetëm në pak duar kompanish mbizotëruese (oligarkësh) në treg. Duke ua mbyllur derën e fondeve shtetërore me dhjetëra-mijëra sipërmarrjeve të vogla e të mesme dhe duke goditur rëndë gjasat për punësim. Kjo është kauza reale dhe më e fortë që duhet të rrokë opozita. Dhe jo nanurisjet me shifra 85 për qind e shqiptarëve që i thanë “Jo!” zgjedhjeve moniste. Në këtë mënyrë, opozita vetëm se ngrohet me zjarr virtual dhe nuk u shërben qytetarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: