TIRANE

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka thënë se Arben Xibri i arrestuar sot nga policia në Tiranë pasi rezulton i dënuar me 8 vite burg për trafik narkotikësh është ‘miku’ i Lulzim Bashës.

Përmes një postimi në Facebook, Balla ka publikuar një foto të kryedemokratit Basha me të arrestuarin Arben Xibri realizuar në vitin 2012.

Gjithashtu Balla thotë se në protestën e opozitës morën pjesë persona me precedentë penalë.

Statusi i plotë i Ballës:

Mediat raportojnë se sot është arrestuar në Tiranë “miku” i Lulzim Bashës, i akuzuar për trafikun e 130 kg kanabis. Arben Xibri është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës me 8 vite burg për veprën penale “Trafikim i narkotikëve i kryer në bashkëpunim i mbetur në tentativë”.

Po ashtu siç u pa dhe siç konfirmuan edhe arrestimet e policisë së shtetit në protestën e dhunshme të Bashës morën pjesë persona me precedentë penalë me vepra të ngjashme si krimi për të cilin është dënuar Arben Xibri.

Është për të ardhur keq që ende edhe sot Partia Demokratike nuk është distancuar nga aktet e dhunshme dhe përdorimi i personave me precedentë penalë në dhunën e ditës së shtunë kundër institucionit të Këshillit të Ministrave.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb