TIRANE

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla nga jashtë ambienteve të Kuvendit komentoi vendimin e opozitës për të braktisur sallën. Ai theksoi se kërkesa e kolegëve të tij të PD dhe të LSI-së për debat duhej të ishte bërë me mocion dhe sipas rregullores së Kuvendit.


Po ashtu socialisti u ndal edhe tek kandidatura e Gent Cakajt, për postin e ministrit të Jashtëm. Sipas Ballës, Rama do të jetë në këtë post përkohësisht, deri në zgjidhjen e ngërçit sipas tij artificial, të krijuar nga presidenti Ilir Meta, duke ripropozuar kështu emrin e Cakajt.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë kontekst të përmend edhe faktin se na vjen keq që Presidenti i Republikës sot nuk na bëri të mundur të votonim edhe dekretin për ministrin e Jashtëm. Dekret, i cili në fakt duhet të kishte qenë gati që javën e kaluar po t’i referohemi kërkesës tonë për z.Gent Cakaj, i cili meriton besimin tonë. Sapo Gjykata Kushtetuese të zgjidhi këtë ngërç artificial të krijuar nga Presidenti i Republikës, do të kemi mundësinë që z.Cakaj ta kemi në kabinetin e qeverisë sonë. Deri atëherë, kryeministri ka treguar gatishmërinë për të kontribuar për zgjidhjen e këtij ngërçi të krijuar artificialisht nga Presidenti i Republikës, duke propozuar për të qenë ai ministër i Jashtëm, deri kur Gjykata Kushtetuese t’i japë fund kësaj kapriçoje artificiale. A nuk ka figura të tjera Partia Socialiste për ministër të Jashtëm, përse duhet të jetë pikërisht Kryeministri që duhet ta ushtrojë këtë post? Sepse Partia Socialiste i ka dhënë besimin Kryeministrit të bëjë detyrën e Kryeministrit, mirëpo në kushtet e një krize të krijuar nga Presidenti me shkelje Kushtetuese, është bërë kjo zgjidhje. Kjo nuk është një zgjidhje që ndodh vetëm në Shqipëri. Për arsye të ndryshme bëhet një zgjedhje e tillë, ku Kryeministri merr edhe mandatin e njërit prej ministrave. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri, madje z. Meta po nga ky Kuvend, por në legjislaturë tjetër, i është besuar edhe detyra e Zëvendëskryeministrit edhe detyra e ministrit të Jashtëm, si dhe e ministrit të Ekonomisë. Kështu që praktika e konsoliduar tashmë parlamentare, juridike e Kushtetuese në Shqipëri ekziston. Çdo vonesë nuk bën mirë po të kemi parasysh axhendën intensive që ka ky 6-mujor deri në 30 Qershor, kur janë dhe zgjedhjet lokale. Duhet të kemi parasysh se fundi i qershorit përkon me fillimin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian!”, tha Balla.


Balla tha se opozita nuk di aspak të shfrytëzojë mekanizmat për debatin parlamentar dhe kontrollin parlamentar.


“Vota e 25 Qershorit ka qenë një votë historike për vendin. Ky mandat është një mandat po aq historik, për të çuar përpara reformat europianizuese të Shqipërisë. Vota e 2017-ës ka qenë po ashtu një mandat për bashkëqeverisje me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi. Kështu e kemi lexuar mandatin tonë prej ditës së parë. Përfaqësimi në qeveri i profesionistëve të spikatur në fushat ku ata kanë punuar prej vitesh është pikërisht një mundësi e mirë për të çuar dhe për t’i dhënë një shpejtësi edhe më të madhe reformave, që duhet të çojmë përpara. Kështu që mandatet e ministrave, nuk janë çështje të kartave të anëtarësisë për partitë politike, por janë përgjegjësi për t’i shërbyer njerëzve më mirë dhe për të çuar përpara këtë mandat.

Ajo që doja të sqaroja me ju; mua më vjen keq që opozita nuk di aspak të shfrytëzojë mekanizmat, qofshin ato të debatit parlamentar apo të kontrollit parlamentar. Unë u mundova sadopak t’i sqaroj kolegët, sikurse edhe Kryetari i Kuvendit z. Ruçi kishte bërë një analizë të shkëlqyer do të thoja unë, po ti referohemi praktikës parlamentare. Praktika parlamentare gjithmonë kështu ka qenë, sepse këtu bëhet fjalë për emërime dhe shkarkime ministrash. Debat për programin ka sa herë që qeveria merr mandatin pas zgjedhjeve. Unë e thashë, ne jemi të gatshëm kurdoherë, që nesër, nëse opozita depoziton një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat.

Duan një mocion me debat për përbërjen e kabinetit qeveritar? Patjetër, por ajo duhet bërë në bazë të Rregullores. Duan një interpelancë me Kryeministrin? Patjetër, por edhe ajo duhet bërë në bazë të Rregullores. Unë i shoh gjithmonë kërkesat që opozita sjell. Gjithë kjo eksperiencë parlamentare e shumë kolegëve bën të kuptosh se kur një kërkesë është në zbatim të Rregullores dhe kur një kërkesë një kapriço e momentit. Sesioni i jashtëzakonshëm u thirr nga Kryeministri, sepse jemi në hapësirën mes dy sesioneve parlamentare. Kushtetuta ka ngarkuar tre institucione, të cilat mund të thërrasin seancën e jashtëzakonshme. Kryeministri e ushtroi këtë të drejtë kushtetuese për të kërkuar që të mos humbej më kohë kot dhe për të respektuar afatin kushtetues të vendosur për shqyrtimin e dekreteve.”, pohoi ai.
(ed.me/j.d/BalkanWeb)

Etiketa: