TIRANË

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka deklaruar në seancën e sotme që Kodi Zgjedhor të përmbyllet deri për Krishtlindje, ndërsa ka përshëndetur vendimin e Komisionit të posaçëm të Reformës zgjedhore për të bërë ndryshime në çështjen e financimit të partive. Këtu Balla ka përmendur edhe çështjen e financimeve për PD-në. Nga ana tjetër kreu i grupit socialist, njësoj si opozita tha se dokumenti i Bundestagut është udhërrëfyesi më i mirë.

Balla foli edhe për rezolutën e Parlamentit Europian në lidhje me ‘mosvendimin’ siç e quajti ai të Këshillit Europian.

“Padyshim që kjo seancë është një risi në punën parlamentare për shkak të dedikimit të problematikave që deputetët mendojnë që janë çështje me sensibilitet publik por edhe lokal në rastet që deputetët vendosin të sjellin në seancë zërin e tyre.
Ky mekanizëm parlamentar është për të sjellë problemet, ka plotë mekanizma të tjerë ku qeveria përfshihet në detyrimin me afat të përcaktuar për të sjellë përgjigje. Por ju lutem mos prisni që propozime konkrete të cilat janë alternativa në politikë të marrin ose të merren në kosideratë si pjesë të politikave qeverisëse. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë po ashtu që për fat të mirë këto mekanizma parlamentarë të fillojnë të përdoren, edhe seanca e pyetje-përgjigjeve që ngriti zoti Karamelo është një seancë e përcaktuar në rregullore. Ajo mund të zhvillohet qoftë të mërkurën, qoftë të enjten apo të hënë. Rëndësi ka që nuk ka sot një seancë pyetjesh të refuzuar nga ana e ministrave apo kryeministrit. Në këtë kontekst unë do doja sot të ndalesha në një vendim, në një rezolutë shumë të rëndësishme të PE të miratuar javën e shkuar. Kam pasur mundësinë edhe si bashkëkryetar i komitetit parlamentar të stabilizim-asociimit mes Shqipërisë dhe Parlamentit Europian të isha prezent në PE të enjten teksa miratohej dhe të mërkurën teksa diskutohet rezoluta. Jam ndjerë krenar që në sallat e PE, në korridoret e PE, eurodeputetë të grupit socialist dhe demokrat por jo vetëm të mbanin në duar flamurin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Një shprehje të një proteste normale të PE aty ku mblidhen përfaqësuesit e 28 vendeve që përbëjnë BE-në për të mbështetur pikërisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë”, deklaroi Balla.

Ai tha se eurodeputetë nga shtete të ndryshme madje dhe nga ato vende të cilat në Këshillin Evropian shfaqën skepticizëm dhe bënë të pamundur vendimin unanim të 28 vendeve, holandezë, danezë, francezë të cilët e thanë shumë qartë në rezolutë se mos vendimi i 18 tetorit ishte një gabim strategjik.

“Gabim strategjik për Europën për shkak se besueshmëria politike e Këshillit Europian, duke iu kundërvënë zgjerimit është vënë në dyshim. Por mbi të gjitha gabim strategjik për Ballkanin Perëndimor, këtu ku jemi dhe ne, për shkak se kjo politikë lë hapësirë për ndikim të tjera, interesat e të cilave jo gjithmonë janë në përputhje me vlerat demokratike të familjes europiane që ne aspirojmë të jemi pjesë. Do doja t’u drejtohesha qytetarëve, atyre që na ndjekin. Është padyshim hera e parë në PE që kemi një shumicë prej më shumë se ¾. 412 eurodeputetë të cilët shprehën bindjen se Shqipëria ka dëshmuar vendosmërinë e saj për të përparuar në axhendën e reformave të BE-së dhe ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme”, u shpreh ai.

Balla theksoi se PE mirëpriti reformën në drejtësi të kryer nga Shqipëria dhe për këtë reformë në drejtësi PE shprehet se duhet të konsiderohen përpjekjet më gjithëpërfshirëse në këtë fushë, gjithashtu dhe në krahasim me atë që gjitha vendet e rajonit do duhet të realizojnë në rrugën e tyre të anëtarësimit në BE. “Pra, reforma në drejtësi jo vetëm që është një histori suksesi në Shqipëri por PE iu rekomandon dhe vendeve të tjera si Maqedonia ta marrin si referencë reformën në drejtësi të kryer nga Shqipëria. Kush ka sy ta lexojë e kush ka vesh ta dëgjojë. Nuk po flas për ju, deputetët e rinj të opozitës në Kuvend por edhe për ata që u rrekën të kapen pas një mosvendimi për të arsyetuar hallin e tyre. Halli i opozitës rrugore nuk zgjidhet dot sepse e krijuan vetë atë hall, ikën nga Kuvendi. Bojkoti i institucioneve demokratike është një instrument i cili i këshillohet kujtdo të mos ta përdorë sepse nuk të çon drejt suksesit”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS.

Balla tha më tej se ky dokument i PE ka mundur t’i bindë të gjithë, edhe me skeptikë se arsyetimi i mosmarrjes së vendimit ka të bëjë me çështje më shumë të brendshme brenda BE.
Sipas tij, jashtë mbështetjes për Shqipërinë në PE ishte vetëm grupimi i ekstremit të djathtë në PE.

Ai iu kujtoi partive të opozitës por edhe Presidentit të Republikës, të reflektojnë mbi qasjen e partive simotra të përfaqësuara në PE.
“Është një moment dhe atyre që ju kanë sjellë ju në këtë sallë, partive respektive, PD-së në radhë të parë si një prej partive më të rëndësishme në këto 28 vite të shikojë, të reflektojë mbi qasjen e partive simotra të veta të përfaqësuara në PE, PPE. Është e paimagjinueshme, gjuha që përdor gjuha PD në Shqipëri e për fat të keq edhe Presidenti i Republikës në fajësinë lidhur me mosvendimin e Këshillit Europian dhe Partia ose grupimi i PPE. Në mocionin për rezolutën të propozuar nga deputetët e PPE ku spikat patjetër zoti Mçallister flitet qartë që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj në rrugën për fillimin e bisedimeve dhe padyshim procesi i fillimit të bisedimeve, marrëveshja për anëtarësim është një proces i gjatë, nuk është anëtarësim por padyshim përfundon me anëtarësim. Dhe unë sot do doja t’iu bëja thirrje deputetëve të opozitës këtu në këtë sallë, është në detyrën tonë historike që ne të vijojmë punën për realizimin e detyrave të shtëpisë sepse hapeshin apo nuk hapeshin bisedimet më 18 tetor ne padyshim që kemi detyra shtëpie të cilat duhet t’i realizojmë.
Dhe unë mendoj që instrumenti i vënë në dispozicion nga Bundestagu përmes disa hapave konkretë është udhërrëfyesi ynë më i mirë. Ne duhet ta përmbyllim Kodin zgjedhor sipas rekomandimeve të ODIHR deri në Krishtlindje. Sepse padyshim që deri në pranverën e ardhshme dhe pastaj deri në Samitin e Zagrebit edhe ata që janë kundër vijimit të procesit të zgjerimit do të kenë ndryshuar mendje sepse gabimi strategjik i bërë më 18 tetor do duhet riparuar menjëherë dhe më pas dua ta përshëndes vendimin e Komisionit të Posaçëm të reformës zgjedhore për të bërë edhe ndryshimet e domosdoshme në ligjin për financimin e partive politike. Duhet ta ndryshojmë, kemi pasur një rast tepër të rëndë në Shqipëri 2 vjet më parë, teksa PD është sot në akuzë publike, kryetari i saj për financime të dyshimta. Ne duhet ti presim rrugën çdo lloj financimi të dyshimtë për çdo parti politike përfshi dhe fushatat zgjedhore”, deklaroi Balla.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb