TIRANE – Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, mohoi të ketë rritje pagash e shpërblime për deputetët. Ai shkroi në një sqarim të tij në rrjetin social “Facebook” dje se: “Nuk ka asnjë rritje pagash për deputetët. Përkundrazi. Të jeni të sigurt që nuk do ta votonim një gjë të tillë. Sot Kuvendi i Shqipërisë do të sqarojë se janë bërë shkurtime, por jo rritje. Ndër shkurtimet, pas shumë vitesh, hoqëm edhe qiratë e shtëpive për deputetët e qarqeve pranë Tiranës.

Për herë të parë këtë vit deputetët marrin 0 lekë shpërblim për fundvit”, u shpreh Balla, pas një lajmi të shkruar në media se, deputetët i rrisin pagat vetes. Por, në seancën e fundit të Kuvendit është kaluar një projektvendim për mënyrën e trajtimit të deputetëve, sipas të cilit rriten shpërblimet e tyre për pjesëmarrjen në komisione, por edhe qiratë e banimit, duke e çuar pagën bruto të tyre në 378 mijë lekë në muaj. Tashmë paga ditore e një deputeti llogaritet në 7125 lekë, ndërsa kryetarët e grupeve parlamentare me mbi 10 deputetë paguhen 15% mbi pagën e deputetët dhe ata me 10 deputetë, 5% mbi pagën e deputetit. Deputetët po ashtu shpërblehen me 20 mijë lekë për pjesëmarrjen në komisione parlamentare. Një tjetër zë në të ardhurat e deputetit janë dietat ditore, ato brenda vendit llogariten 6271 lekë dhe jashtë vendit edhe 3 mijë lekë plus për çdo natë. Sa u përket deputetëve që nuk banojnë në qytet, vendimi rrit sasinë e pagës që ata do të marrin për qiranë, nga 30 deri në 35 mijë lekë në muaj. Por nga ana tjetër, në këtë vendim mungesat e deputetëve do të quhen të ligjshme vetëm atëherë kur marrin leje te kryetari i Kuvendit.

(ar.sh/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: