TIRANE

I ftuar në rubrikën Opinion në News24, kreu  i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla  tha se PS do të hyjë në zgjedhje edhe pa opozitën. Balla shtoi se partitë që nuk hyjnë në zgjedhje janë shoqata.

“Ne si PS do hyjmë në zgjedhje dhe pa opozitën. Një parti politike që nuk hyn në zgjedhje humb të qenurit parti politike. Shoqatat nuk marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Balla nënvizoi se shpreson që edhe opozita të hyjë në zgjedhje.

“Ne do të hyjmë në zgjedhje edhe pa PD dhe LSI. Ne shpresojmë që opozita të hyjë në zgjedhje dhe gara të jetë e ndershme dhe të jenë të gjitha palët. Një parti politike, si rregull hyn në zgjedhje dhe pret të fitojë”, tha Balla.

Sipas Ballës, PS ka bërë partneritet me popullin, ndërsa shton se PD dhe LSI nuk janë me popullin. Në pyetjen nëse Partia Socialiste do të kandidojë ata persona të përfolur nga opozita, ai tha se së shpejti do të dalin kandidatët me emra.

“PS ka kontratë me popullin shqiptar. PD dhe LSI nuk mund të gënjejnë dot popullin. Ne do të hyjmë në zgjedhje. Sa i takon akuzave të opozitës, mund të them se kjo opozitë nuk ka lënë njeri pa bërë me baltë. Kjo opozitë ka baltosur deri hoxhallarë dhe priftërinj, jo më politikanë”, vlerësoi Balla.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb