TIRANE

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në Neës 24 i dha një mesazh kryedemokratit Lulzim Basha e Monika Kryemadhi. Ai tha se duhet ta harrojnë se mund të ndryshojnë datën e zgjedhjeve.

“Doni apo nuk doni zgjedhjet lokale do mbahen më 30 qershor. Harrojeni se mandatin që na kanë besuar shqiptarët mund të tentoni ta bëni pis. Gjithë shqiptarët e dinë kush blen vota, i ka Luzim Basha me vete”.

Balla ironizoi edhe përfundimin e protestës, duke thënë se kryedemokratit Basha i kishte ardhur ora për të ngrënë. “Nuk kisha asnjë dyshim fare se do të mbyllej protesta, pasi kur i vjen Lulit ora e supës ndërpret çdo gjë… Leja që ishte dhënë ishte deri në orën 16:00 dhe protesta u mbyll në 15:55”,- tha Balla.

Gjatë protestës së sotme, Taulant Balla tha se u dëmtua prona publike dhe për këtë Prokuroria e Tiranës duhet t’i ketë nisur tashmë hetimet.

“Prokuroria e Tiranës duhet të ketë filluar hetimet pasi ka pasur dëmtim të pronës publike, që solli reagimet e gjithë ndërkombëtarëve. Ajo që kam thënë është shumë e qartë, masat ndëshkimore penale i përcakton Kodi Penal”,- tha ai.

Ndërsa për dëmtimin e veprës së artit në krah të Kryeministrisë, Balla u shpreh: “Nuk di pse dha urdhër të dëmtohej kërpudha, di që Berisha është i fandaksur nga e bukura, por Basha si njeri që ka jetuar në Hollandë duhet të hiqte dorë”.

Balla tha ndër të tjera se edhe thirrjet e Sali Berishës për dhunë janë të dënueshme. “Ultimatumet e Berishës janë shprehje të pakontrolluara të një burri në moshë. Thirrjet e papërgjegjshme të Sali Berishës janë të dënueshme”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb