Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaron nga Japonia se është rënë dakord për të filluar bashkëpunimin me qëllim eksportin e prodhimeve shqiptare të Rozafës drejt tregut japonez.

Teksa ndodhet në një vizitë zyrtare në Japoni, numri dy i PS shkruan në “Facebook” se me mbështetjen e kolegut Minoru Kiuchi, ministër i Shtetit, dhe Ministrisë së Jashtme japoneze është arritur të bëhen bashkë dy kompanitë e mëdha: Korporata japoneze Kiyomura dhe Kompania shqiptare Rozafa.

“Kiyoshi Kimura njihet në Japoni si “Mbreti i Peshkut Ton”, i cili është regjistruar edhe në Librin e Rekordeve Guinness për blerjen më të shtrenjtë në ankandin e tonit në Japoni. Ai është gjithashtu edhe pronari i rrjetit më të famshëm të restoranteve në Japoni Sushizanmai. Hyrja e prodhimeve shqiptare në këtë rrjet do të jetë realisht një histori suksesi”, shkruan Balla ndër të tjera.

Mesazhi i plotë:
Diplomacia në tërësi, por edhe kjo parlamentare, duhet të ketë objektiv parësor tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e eksporteve të prodhimeve “made in Albania”. Çdo kontakt dhe çdo vizitë duhet të synojë rritjen dhe diversifikimin e bashkëpunimit ekonomik.

Bashkëpunimi ekonomik me Japoninë, në funksion të rritjes së volumit të shkëmbimeve tregëtare mes dy vendeve, do ta shtojë portofolin edhe me prodhimet shqiptare të detit drejt Japonisë. Me mbështetjen e kolegut Minoru Kiuchi në Parlamentin Japonez, njëkohësisht Ministër Shteti, dhe falë angazhimit të Ministrisë së Jashtme japoneze, arritëm të bëjmë bashkë dy kompani të mëdha: Korporatën japoneze Kiyomura dhe Kompaninë shqiptare Rozafa. Dy presidentët e dy kompanive zoti Kiyoshi Kimura* dhe zoti Gjergj Luca ranë dakord të fillojnë bashkëpunimin me qëllim eksportin e prodhimeve shqiptare të Rozafës drejt tregut japonez. Ky treg i ri për prodhimet shqiptare të detit padyshim do të rrisë volumin e prodhimit duke rritur sigurisht edhe numrin e të punësuarve në fabrikat shqiptare.

Eksportet shqiptare të prodhimit të detit arritën në vitin 2018 shifrën rekord 91.6 milionë Euro ose 3 herë më shumë sesa në vitin 2013. Ndërsa pritshmëria për vitin 2019 është kalimi përtej 100 milionë Euro. Qeveria Rama ka mbështetur fuqimisht këtë sektor përmes politikave lehtësuese: Nafta pa akcizë për sektorin e peshkimit dhe heqja e TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, frigoriferëve, motorëve të anijeve, në bordin e anijeve të peshkimit, të trajtuara si furnizime bordi. Janë 27 zëra doganore, TVSH e të cilave janë bërë 0 për peshkimin.

Falë bashkëpunimit me Bashkimin Europian ka filluar zyrtarisht në shkurt 2019 projekti IPA i BE, i cili do të japë mbështetje deri në masën 50% për investime në bordin e anijeve të peshkimit për ndërrimin e motorëve, blerjen e pajisjeve elektronike dhe të ndërtimit të frigoriferëve Vlera e kësaj mbështetjeje është 1.4 milion € e cila duke financuar 50% të investimit çon investimet në bordin e anijeve të peshkimit në 2.8 milion €. *Kiyoshi Kimura njihet në Japoni si “Mbreti i Peshkut Ton”, i cili është regjistruar edhe në Librin e Rekordeve Guinness për blerjen më të shtrenjtë në ankandin e tonit në Japoni. Ai është gjithashtu edhe pronari i rrjetit më të famshëm të restoranteve në Japoni Sushizanmai. Hyrja e prodhimeve shqiptare në këtë rrjet do të jetë realisht një histori suksesi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb