TIRANË- Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u ka dërguar një letër 3 eurodeputetëve francezë, të cilët kanë depozituar një rezolutë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Balla në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, u kërkon tre deputetëve Dominique Bilde, Steeve Briois dhe Sophie Montel, të Frontit Nacional, që drejtohet nga Marine Le Pen të jenë pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Kapeni dorën e saj miqësisht dhe vëllazërisht të shtrirë, si një shans të vërtetë për rigjallërimin dhe rinovimin e Europës”, shkruan Balla. Ai thekson se “Shqipëria, zinxhiri i historisë në distancë të njëjtë midis Romës dhe Stambollit mban çelësat gjeopolitikë të Lindjes dhe Perëndimit dhe përbën elementin moderues të një rajoni historikisht të trazuar”.
Tre eurodeputetët francezë kërkuan përmes një projekt-rezolute ndërprerjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke u shprehur se shkak për këtë qëndrim të tyrin janë arsyet e gjendjes sociale dhe ekonomike në Europë.
LETRA E PLOTË E TAULANT BALLËS
Dominique Bilde MEP
Steeve Briois MEP
Sophie Montel MEP
Parlement européen
Rue Ëiertz
Altiero Spinelli
1047 Bruxelles
Të nderuar kolegë parlamentarë,
“Je suis Charlie”, për tu prezantuar. Jam katër krerët fetarë shqiptarë që erdhën të marshonin në Paris në mbrojtje të lirive franceze, të nesërmen e atentateve që përgjakën Francën. “Je suis Charles”, Gjenerali që shpesh partia juaj e mban për referencë kthjelltësie dhe që përshëndeste te Shqipëria vendin mik dhe aleat, që prej 1940. “Je suis François”, mishërimi i një tradite të gjatë fetare që për ju është djepi i Europës dhe që më parë se të krijonte Francën, mbolli qysh në krye të herës farën e saj në Shqipëri: “Shqipëria nuk është një vend mysliman, por një vend europian ku ka të Krishterë e Myslimanë”, janë fjalët e tij.
Duke mos mundur t’i mveshni Shqipërisë epitetet e islamizmit, intolerancës, armiqësisë ndaj një tradite dhe një qytetërimi që pa pjesërisht dritën e diellit në tokën e saj të moçme, i pengoni rrugën drejt integrimit nën pretekste më pak të bujshëm: korrupsioni, instabiliteti ekonomik, pesha e trafiqeve të paligjshëm. Të këqija që në fund të fundit janë gangrena e vendeve të Europës nga Korsika në Siçili e nga periferitë e Parisit në qendër të Athinës.
Duke parë ritmin e çfrenuar të rezolutave tuaja, deklaratave e pozicionimeve kundër rimëkëmbjes së projektit europian, kuptoj se lojërat politike nuk janë më një art, por një zanat i zvetënuar, edhe për një parti si e juaja, luksi i së cilës ka qenë mos të ketë kurrë rastin për të ushtruar pushtetin dhe përgjegjësitë e vërteta.
Megjithëkëtë, ka lojëra që në fakt janë të rrezikshme. Ndonëse Shqipëria vjen nga larg, me një të kaluar të dhimbshme, potencialet e saj janë të paprekura: popullsi e re në moshë, pasuri hidrike dhe minerare, monedhë e qëndrueshme dhe rritje ekonomike.
Të përjashtosh Shqipërinë, thjesht për të shtuar një pikë më shumë në listën e gjatë të manifesteve për dështimin e Europës të së ardhmes, është një llogari fort meskine, me një çmim ndoshta shumë të lartë. Shqipëria, zinxhiri i historisë në distancë të njëjtë midis Romës dhe Stambollit mban çelësat gjeopolitikë të Lindjes dhe Perëndimit dhe përbën elementin moderues të një rajoni historikisht të trazuar.
Të godasësh pa dallim është, përgjithësisht, një strategji pa bereqet. Ëndrra europiane e Shqipërisë nuk ka nevojë për tu goditur. Këshillë prej miku: kapeni dorën e saj miqësisht dhe vëllazërisht të shtrirë, si një shans të vërtetë për rigjallërimin dhe rinovimin e Europës dhe jo si një makth artificial për të trembur votues në udhëkryq.
Vllazërisht europian,
Taulant Balla
Deputet
Kryetar i Delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: