Qindra të rinj të Elbasanit morën pjesë në një takim të organizuar nga PS. 30 qershori, nuk mund të ndalet, tha Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, pasi s’mund të ndalen reformat e rëndësishme dhe rruga europiane e Shqipërisë.

“Edhe 10 ditë për të vijuar punët e mëdha që na presin, por gjithashtu për të vijuar angazhimin tonë, shumë të rëndësishëm, në kuadër të paktit për universitetin. Ne jemi sot kryelartë që të themi se i kemi respektuar një për një pikat e atij pakti. E përgjysmuam tarifën, në shtator do të fillojmë investimin më të madh në konviktet e Elbasanit për ta 4-fishuar numrin e studentëve që qëndrojnë në konviktet e Elbasanit.

Nëse ne do të bënim, qoftë edhe një hap të vetëm pas, për t’u tërhequr nga 30 qershori, ne pikë së pari, do të kishim tradhtuar Shqipërinë, Reformën në Drejtësi, do të kishim tradhtuar edhe paktin për universitetin”, deklaroi Balla.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai tha se ne nuk tërhiqemi në 30 qershor dhe nuk tërhiqemi nga pakti për universitetin.

“Ne nuk tërhiqemi nga pakti, që një student, ose studente ekselente duhet të ketë një të ardhme shumë herë më të mirë. Luli është ngelësi më i keq që mund të ketë njohur ndonjëherë Shqipëria. Nuk ka në rekordin e vet politik, qoftë edhe një 5, të gjitha 4. Dhe tani thotë; “më jepni kredite, dua ca kredite shtesë”. Por nëse I ke 4 të gjitha, a mund të marrësh kreditë shtesë?
Prandaj nuk shtyhet 30 qershori. 30 qershori është një moment i rëndësishëm për shtetin demokratik, për respektimin e institucioneve”, tha Balla.
Sipas tij, këto ditë ka ndodhur akti më i rëndë i gjithë këtyre viteve që nga ’97. “Kurrë më parë, një parti politike apo një grupim njerëzish, nuk kishin sulmuar shkollat. Kurrë më parë.
Ajo që pamë në Shkodër ishte një akt i turpshëm dhe studentët, rinia, pikë së pari, duhet të bëhet bashkë për t’i thënë ‘JO’ këtyre sulmeve të turpshme kundër arsimit, kundër institucioneve të edukimit.
Njësoj siç bëjnë talebanët në Afganistan, po bën Luli me të tijtë kundër Shqipërisë sot”, theksoi Balla.

Në takimin me të rinjtë e pranishme ka qenë Ministrja e Arsimit, Besa Shahini e cila theksoi premtimet e mbajtura nga qeveria kundrejt studentëve dhe punën e madhe që ende kanë përpara.
“E gjithë qeveria u bë bashkë për t’u ardhur në ndihmë studentëve me kërkesat specifike që ata kanë pasur deri sa të arrijmë që në një afat të mesën t’i ndihmojmë universitetet të ofrojnë edhe cilësi dhe të adresojmë të gjitha kërkesat e tjera që patën studentët.
Në Elbasan projektet e mira që i ka filluar Kryetari do t’i çojë deri në fund Gledi dhe së bashku me bashkitë të bëjmë kartën e studentit.
Ka qenë një detyrim për universitetet, për arsye të ndryshme universitetet nuk arritën ta bëjnë në kohë, kështu që u angazhuam të gjithë bashkarisht, në mënyrë që viti i ri akademik t’ju gjejë me kartën e studentit, me të gjitha lehtësitë që i meritoni”, u shpreh Shahini.

Kandidati Gledian Llatja tha se është gati të nënshkruajë në 30 qershor paktin mes Kryetarit të Bashkisë dhe studentëve, të rinjve dhe çdo qytetari të Bashkisë Elbasan.
“30 Qershor bëhet diferenca e madhe, ju jeni ata që do bëjnë diferencën. Ju do të bëni diferencën mes dëshirës për ta zhvilluar vendin, për ta integruar në Bashkimin Europian, për të ecur përpara me punë të mira për qytetin e fshatin. Ato të tjerët që duan rrëmujën, destabilitetin, që duan ta kthejnë Shqipërinë mbrapa, qoftë edhe një hap, nuk kanë se si të jenë pjesa juaj”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb