TIRANË- Partia Socialiste ka dalë sot në mbrojtje të Policisë së Shtetit pas akuzave të ardhura nga kreu i PD-së Lulzim Basha. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se vendi ka nevojë për një opozitë që të inkurajojë policinë në luftën kundër krimit pasi krimi nuk ka ngjyrim politik. Ai tha se vitin e kaluar falë punës së policisë u shkatërruar të ardhura kriminale që llogariten në 7 miliard euro.

“Nuk ka asnjë opozitë, në asnjë vend të botës që të lumturohet kaq shumë sa Partia Demokratike, sa herë krimi godet. Dhe nuk ka asnjë opozitë, në asnjë vend të botës, që të pezmatohet kaq shumë sa Partia Demokratike kur krimi goditet nga policia. Ky është rasti fatkeq i opozitës në Shqipëri. Jo më larg se një javë më parë bota e errët e krimit kërcënoi familjen e Ministrit të Brendshëm, pikërisht për vendosmërinë që po luftohet krimi. Por Partia Demokratike jo vetëm që nuk shprehu as solidaritetin më njerëzor me Ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, por vrapoi ta akuzonte atë personalisht në mënyrë të turpshme dhe të padëgjuar më parë. Na vjen keq për nivelin ku gjendet opozita në Shqipërinë tonë. Duam tu kujtojmë drejtuesve të PD-së, se vendi ka nevojë për një opozitë që të inkurajojë forcat e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit dhe të solidarizohet me të sa herë krimi godet. Sepse krimi nuk ka ngjyrim politik. 2014-ta ishte viti kur u rikthye besimi tek shteti. Fushata kundër kultivimit të lëndëve narkotike u shtri në të gjithë vendin, duke shkulur rrënjët e lëndëve narkotike. Vetëm vitin e kaluar u shkatërruan të ardhura kriminale që llogariten në 7 mld euro. Kjo ka renditur vendin tonë në vendet e përkushtuara kundër trafikut. Pyetja që shtrohet është pse PD- del gjithmonë e para dhe bën akuza kundër Policisë së Shtetit në mbrojtje të kriminelëve”, deklaroi Balla.

“Në PD thonë se Lulit ia ka mbushur mendjen Sali Berisha që mund ta rrezojë Edi Ramën me bombat e rrugaçëve dhe me revoltën e hajdutëve të dritave?! Aq shumë ia ka mbushur mendjen sa i ka ikur mendja fare deri në pikën që shkoi të kërkonte ndihma në të thatë për një fshat që nuk ka pasur asnjë përmbytje?! Tashmë është kuptuar që deri në qershor mban kandili i Lulit ne zyrën e drejtorit të SHQUP-it. Sot dua t’i drejtoj personalisht Lulzim Bashës një pyetje. Lulzim Basha përpara se të bëjë më akuza të tjera kuturu, duhet ti japë përgjigje kësaj pyetje: Emiljano Shullazi në emër të Lulzim Bashës në vitin 2011 prishte takimet elektorale të Partisë Socialiste. Çfarë marrëveshje kishe ti Lulzim me këtë person, që e përdore për të prishur mitingjet e opozitës kur ti ishe Ministër i Brendshëm dhe kandidat i Saliut për Kryetar të Bashkisë së Tiranës? Pa i dhënë përgjigje kësaj pyetje, nuk ke asnjë të drejtë morale apo politike, të baltosësh Policinë e Shtetit dhe qeverinë aktuale”, ka përfunduar deputeti i PS-së, Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: